Kosova pritet të përfshihet në partneritetin për paqe të NATO-s


E enjte, 3 Prill 2014

Në këtë konferencë Tahiri tha se NATO vendosi sovranitetin e popullit mbi atë të shteteve, vendosi vlerat e popullit mbi atë të diktaturave.

Ajo theksoi se agjenda e Kosovës dhe agjenda shqiptare për integrimin në NATO dhe BE dhe aleanca strategjike me SHBA-të përbëjnë themelet e politikës së jashtme të Kosovës dhe në historinë e re të kombit shqiptar kemi një unitet të plotë për orientimet pro-perëndimore dhe pro-amerikane.

“Shqipëria 5 vite në NATO, Kosova 6 vite e pavarur, shqiptarët e Maqedonisë, të Luginës së Preshevës, të Malit të Zi të faktorizuar janë në pozitë më të mirë, ndërsa çështja e Çamëve ka dalë nga pluhuri i harresës, po ndërkombëtarizohet dhe kërkon trajtim serioz mbi parimet e demokracisë. Shekulli i 20 ishte shekulli i ndarjes dhe shtypjes së padrejtë të shqiptarëve, ndërsa shekulli i 21 duhet të jetë shekulli i fuqizimit të shqiptarëve dhe të drejtësia duhet të vie në vend për neve. Këtë paqe dhe siguri që kemi arritur sot është e mirë por duhet bërë e qëndrueshme. Duhet të kemi kohezion mes vizionit euroatlantik dhe vlerave euroatlantike”, deklaroi Tahiri.

Ajo poashtu shtoi se “duhen investime në arsim. Të forcojmë Kombin tonë, duke njohur sistemin e vlerave, duhet të njohim arritjet, por duhet që të vëmë re edhe problemet. Duhet të kemi më shumë njohje mes njëri-tjetrit, ndarja 100 vjeçare na ka bërë që të mos njihemi me njëri tjetrin aq sa duhet”.

Sipas saj, shtetet e Ballkanit duhet të punojnë më shumë për shtetin ligjor, duke shtuar se në të gjithë shtete e Ballkanit ende ka mungesë në demokraci, probleme me zbatimin e ligjit, ekonomia është e dobët dhe ka korrupsion që po kthehet në pengesë për qeverisje të mirë.

Po ashtu, Tahiri tha se ka ende vende të BE-së që nuk e njohin Kosovën dhe njohja e Kosovës nuk është thjeshtë njohja e këtij shteti por është forcimi i sigurisë në rajonin e Ballkanit, duke shtuar se nuk mund të krahasohemi me Krimen pasi që Kosova ka lindur si shtet i pavarur në mënyrë legale dhe legjitime në koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtare nga shpërbërja e një shteti artificial, si ish-Jugosllavia.

Ndërkaq, Jonathan Moore, drejtor i Zyrës për Evropën Qendrore dhe Juglindore në Departamentin Amerikan të Shtetit, dha përkrahje të fuqishme për integrimet euroatlantike, duke shtuar se Kosova dhe Shqipëria duhet të punojnë sa më shumë në reformat që duhet përmbushur për një integrim të suksesshëm.

Ai tha se Kosova po ashtu pritet të përfshihet në partneritetin për paqe të NATO-s.

Po ashtu gjatë qëndrimit në Tiranë, Tahiri mori pjesë edhe në pritjen që Presidenti i Shqipërisë organizoi me rastin pesë vjetorit të hyrjes se Shqipërisë në NATO.

Etiketa: , ,
Të fundit