Kosova shpall “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” organizata terroriste


E enjte, 29 Qershor 2023

PRISHTINË – Qeveria e Kosovës shpalli organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, të cilat veprojnë në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe.

Dy organizatat numërojnë qindra pjesëtarë nga radhët e komunitetit serb.

“Bazuar në vlerësimet e institucioneve të sigurisë së Kosovës, formacionet ilegale ‘Mbrojtja Civile’ dhe komponenti i saj, ‘Brigada e Veriut’, paraqesin kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e Kosovës”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë të mbajtur më 29 qershor.

Sipas ligjit në Kosovë, kur organizatat shpallen terroriste, aktiviteti i tyre ndalohet menjëherë. Çdo aktivitet i mëtejmë i tyre do të bartte pasoja të rënda ligjore.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, sqaroi se kush preket nga vendimi i ekzekutivit:

“Ky vendim nuk prek askënd që deri në momentin e shpalljes organizata terroriste, ka qenë pjesëtar i këtyre dy organizatave dhe nuk ka kryer vepra penale”.

Organizata “Brigada e Veriut” ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës përmes një postimi në aplikacionin Telegram.

Aty u tha se “Brigada e Veriut” është formuar një vit më parë dhe se pjesëtarët e saj janë “vullnetarë që ndihmojnë serbët dhe popullin serb, të gatshëm të mbrojmë popullin dhe shtetin tonë”.

Kjo organizatë tha se vendimi i Qeverisë së Kosovë nuk do t’i ndalojë ata të luftojnë “për Serbinë dhe unitetin”, por për arsye të sigurisë më nuk do të njoftojnë publikisht për lëvizjet e tyre.

Sipas Kurtit, këto dy organizata kanë kryer veprime “me elemente terroriste”, si: sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX dhe ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Kurti tha se këto dy formacione, po ashtu, kanë bërë thirrje për rezistencë e mosbindje, kanë detyruar qytetarët të marrin pjesë në protesta dhe barrikada dhe kanë “rekrutuar dhe trajnuar pjesëtarë për përdorimin e armëve dhe metodave luftarake në baza ushtarake në Serbi, me qëllim të kryerjes së sulmeve ndaj institucioneve vendore dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë”.

Këto dy organizata, sipas Qeverisë, kanë frikësuar dhe parandaluar kandidatë dhe subjekte politike të marrin pjesë në zgjedhjet në veri të Kosovës.

“Niveli i kërcënimit dhe rrezikut nga këto formacione ilegale është i lartë. Institucionet e Kosovës janë në përpjekje të vazhdueshme për kundërvënie ndaj aktiviteteve të këtyre formacioneve, me qëllim të parandalimit të pasojave si për qytetarët, ashtu edhe për pjesëtarët e institucioneve të vendit tonë dhe të prezencës ndërkombëtare në Kosovë”, theksoi Kurti./REL

Etiketa: , , ,
Të fundit