E premte, 8 Qershor 2018
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është pritur paraditen e sotme nga udhëheqësit e Odës Ekonomike Austriake dhe përfaqësues të bizneseve austriake në veprojnë në Kosovë.
Në këtë takim, Veseli foli për potencialet që ofron Kosova për investitorët e jashtëm.
“Kosova është vendi më i sigurt për investimet austriake në Ballkan. Shkëmbimet tregtar ndërmjet dy vendeve kapin shifrën e mbi 250 milionë euro. Kjo është një dëshmi e qartë që investimet e huaja në vendin tonë janë të sigurta. Kosova ka ndërmarr reforma të thella për t’i lehtësuar investimet e huaja direkte. Ligjet e Kosovës dhe politikat fiskale, tatimore krijojnë lehtësira të mëdha. Austria është njëri nga investuesit kryesor në Kosovë dhe ne mirëpresim edhe investitorë tjerë austriakë që të investojnë pasi vendi ynë ka kapacitete të shumta si në resurse humane po ashtu edhe në shumë fusha potenciale për investime”, tha kreu i Kuvendit, Kadri Veseli.
Nga ana tjetër, përmes një komunikate për medie bëhet e ditur se zëvendëspresidenti i Odës Ekonomike të Austrisë, Dr. Christoph Matznetter, falënderoi Veselin për mbështetjen e vazhdueshme që institucionet e Kosovës u kanë dhënë investitorëve austriakë, duke krijuar një klimë të favorshme edhe për investitorët e tjerë.
Ai tha se Austria aktualisht është investitori i pestë më i madh në Kosovë, por synon që në të ardhmen e afërt të rris investimet dhe të jetë investitori më i madh në Kosovë.
Etiketa: Austria, Kadri Veseli, Kosova