E hënë, 22 Korrik 2019
PRISHTINË – Në pesëmujorin e këtij viti vlera e depozitave të qytetarëve të Kosovës në bankat komerciale kap vlerën e 3.4 miliardë eurosh. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kjo shumë ka shënuar rritje.
Pos rritjes së depozitave, rritje ka shënuar edhe niveli i kredive si për ekonomitë familjare ashtu dhe atë biznesor.
Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Kushtrim Ahmeti, ka thënë se niveli i depozitave dhe kredive ka shënuar rritje në pesëmujorin e parë të këtij viti karshi vitit paraprak.
“Depozitat e klientëve të bankave komerciale deri më 31 maj 2019 kanë qenë 3.4 miliardë euro, prej të cilëve depozita të ekonomive familjare kanë qenë 2.4 miliardë euro. Deri më 31 maj 2018 vlera e depozitave të klientëve të bankave komerciale ka qenë 3.1 miliardë euro, prej të cilave ekonomitë familjare përbëjnë 2.2 miliardë euro”, ka deklaruar Ahmeti, për Epoka e Re.
Sipas tij, sa iu përket kredive, vlerat e tyre për ekonomitë familjare dhe korporatat jofinanciare kanë shënuar rritje gjatë pesëmujorit të parë të këtij viti karshi periudhës paraprake të vitit të kaluar.
“Vlera e kredive për ekonomitë familjare deri në maj të 2019-s kap shifrën 1.04 miliard euro, kurse për korporatat jofinanciare 1.85 miliard euro. Në periudhën e njëjtë të vitit 2018 ishin 945.9 milionë euro kredi për ekonomitë familjare, ndërkaq 1.65 miliard euro për korporata jofinanciare”, ka thënë ai.
Etiketa: Kosovë, Kursime