Kosovarët në diasporë mund të aplikojnë për votim deri më 15 shtator


E shtunë, 14 Shtator 2013

Prishtinë, 14 shtator – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shtyrë edhe për një javë regjistrimin e kosovarëve që jetojnë në diasporë. Me këtë afat institucionet e Kosovës po iu japin mundësi të gjithë shtetasve të saj në mërgim që të regjistrohen në listat e votuesve, me qëllim që të bëhen objekt i vendimmarrjes politike.

Votat e diasporës, nga analistët dhe përfaqësuesit e partive politike konsiderohen të jashtëzakonshme për të përcaktuar të ardhmen politike në Kosovë. Edhe pse këto zgjedhje janë lokale, certifikimi i votuesve të diasporës do të jetë valid edhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Që të përmbushet boshllëku i krijuar gjatë zgjedhjeve të kaluara, kur diaspora kosovare u anashkalua nga Prishtina zyrtare, kësaj here duket se politikanët dhe analistët politikë e kanë përnjëmend kur i ftojnë mërgimtarët për të hedhur votën për vendin e tyre.
Prandaj, që të përmbushet premtimi institucional që diasporës t’i rezervohen disa vende në Parlamentin e Kosovës, duhet që mërgimtarët të tregojnë përkushtim kushtetues për të votuar nëpërmjet postës edhe në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, shkruan portali shqiptar në Zvicër Albinfo.

Burim Ramadani, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe njëherësh sekretar i AAK-së, tha për këtë portal se është vendim real i KQZ-së që ta vazhdojë regjistrimin e mërgimtarëve për të marrë pjesë në votime. Madje, ai kërkoi që të bëhet njoftim sa më i madh i diasporës se si duhet të votohet dhe si të aplikohet për votim. Ndërsa pjesëmarrjen e tyre në votim, Ramadani e quajti të domosdoshëm, duke marrë parasysh rolin vendimtar të diasporës në lirinë e Kosovës dhe zhvillimin e saj.

Ideja për të shtyrjen e afatit për aplikim të regjistruesve nga radhët e mërgimtarëve ka qenë e ministrit të Diasporës, Ibrahim Makolli.
Ky i fundit tha se është jo e logjikshme që regjistrimi i votuesve të diasporës të mbyllet shpejt, sepse me këtë rast institucionet e Kosovës do të vazhdojnë t’i hyjnë në hak qytetarëve të saj që jetojnë jashtë shtetit.

“KQZ njëherë vendosi që aplikimi të jetë deri më 2 shtator. Ne e konsideruam vendimin jo real, sepse ishte koha e pushimeve dhe mërgimtarët nuk kanë qenë të informuar për procesin zgjedhor. Prandaj KQZ e shtyri edhe për një javë, ndërsa ne reaguam dhe tash e ka shtyrë deri më 15 shtator”, tha Makolli.

“Për mua është e rëndësishme që të ketë sa më shumë votues të diasporës, ndërsa për kënd votojnë ata është krejtësisht çështje e dorës së dytë. Me rëndësi është që edhe ata të jenë pjesë e vendimmarrjes politike, sepse vota, fundi i fundit, është edhe politike”, deklaroi Makolli.

Edhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Zvicër i ka inkurajuar bashkatdhetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet lokale.
Mazllum Baraliu, ekspert i çështjeve zgjedhore dhe ish-drejtues i KQZ-së, thotë se pjesëmarrja e diasporës në zgjedhjet e 3 nëntorit është tejet i rëndësishëm, kur dihet fakti se Kosova vazhdimisht i ka hyrë në hak diasporës.

Nga gjithë ai korpus i shqiptarëve në diasporë, sipas tij, në zgjedhje kanë marrë pjesë vetëm 1 500 veta. “Ata madje do të duhej të ishin të përfaqësuar në Kuvend, të kishin Këshill Nacional dhe me Ligjin për Diasporën duhet të ishin etabluar shumë më mirë”, deklaroi Baraliu.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, secili qytetar që ka nënshtetësi të Kosovës mund të votojë, ose e ka të drejtën për të votuar dhe për tu zgjedhur.

Sipas KQZ-së, votuesit jashtë vendit mund të votojë për zgjedhjet në Kosovë, nëse ai, ose ajo, ka aplikuar suksesshëm për votim jashtë Kosovës dhe ka votuar në përputhje me rregullat e KQZ-së.

Procesi i votimit realizohet përmes postës. Ky proces bazohet në dy periudha, në periudhën e regjistrimit dhe periudhën e dërgimit të fletëvotimit.

“Çdo qytetar që konsideron se ka të drejtë dhe është i interesuar për të votuar, duhet të aplikojë për t’u regjistruar si votues jashtë vendit.

Pas aplikimit, KQZ do t’i njoftojë ata nëse kërkesa është aprovuar apo jo. Të gjithë aplikuesit e aprovuar do të pranojnë fletëvotimet e caktuara dhe materialet tjera përcjellëse në adresën e paraqitur gjatë aplikimit”, thuhet në njoftimin e KQZ-së./kohaditore/

Të fundit