Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Kosovë-Shqipëri, hekurudha projekt i së ardhmes

Astrit Shehu | 17:28 - 17.08.2015

Hekurudha, që do të lidhë Kosovën me Shqipërinë, është projekti i së ardhmes, pas autostradës së ndërtuar, e cila këtë verë shënon një fluks rekord drejt bregdetit shqiptar.

“Do të përgatitet projekti për lidhjen hekurudhore me Shqipërinë”, theksonte i mandatuari për Kryeministër të Kosovës, Isa Mustafa, duke prezantuar programin qeverisës në seancën e Kuvendit, të zgjedhjes së qeverisë së re, në dhjetor 2014.

“Është fjala për një investim shumë të madh, që duhet të bëhet”, u shpreh Kryeministri kosovar të enjten e kësaj jave, në një konferencë për shtyp, ndërsa theksoi se Kosova dhe Shqipëria në vitin 2016 inaugurojnë autostradën energjetike, ndërsa hekurudha, që do i lidhë, është projekt i së ardhmes.

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës i Republikës së Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, gjatë vizitës në Prishtinë në 26 janar 2015, deklaronte se “hekurudha Shqipëri-Kosovë do të ketë një të ardhme për gjithë rajonin me infrastrukturë evropiane, me të njëjtin standard”.

“Ne menjëherë do të fillojmë nga një studim parafizibiliteti për të parë mundësinë e realizimit sa më të shpejtë të kësaj hekurudhe, por sigurisht ne do të shikojmë edhe në mënyrë strategjike, duhet të shikojmë edhe rrjetin rajonal, sepse ne jemi pjesë e një rajoni. Dhe hekurudha besoj se do të ketë një të ardhme për gjithë rajonin, pasi rajoni është i tillë që duhet të integrohet sa më shumë brenda për brenda, por edhe me Evropën”, theksonte ministri Haxhinasto.

Ndërsa, ministri kosovar i Infrastrukturës, Zharku, deklaroi atëherë për median se për ndërtimin e hekurudhës, pjesa e Shqipërisë 108 kilometra, ndërsa e Kosovës 17 km, do të aplikohet për fonde në kuadër të Kornizës Investive për Ballkanin Perëndimor.

Me realizimin e projektit të hekurudhës, do të mund të udhëtohet me tren edhe nga Prishtina. Nga kryeqyteti kosovar tashmë mund të udhëtohet me tren në dy linja, drejt Maqedonisë-Shkupit dhe për në Pejë. Trenat kalojnë nëpër Fushë-Kosovë, qytet kryesor i hekurudhave kosovare, prej nga do mund të udhëtohet edhe në destinacione të tjera.

Në portat kufitare Kosovë-Shqipëri, në korrik 2015 ka pasur më shumë se një milion (1.023.970) hyrje-dalje të personave, afër gjysmë milioni (481.933), apo afër dyfish më shumë sesa në korrikun 2014, kur kishe 542.037 hyrje-dalje. Në qershor 2015 ka pasur gjithsej 500.288 hyrje dalje të personave, sipas të dhënave të njoftuara nga Policia e Kosovës.


Arivisti Company