Konfiskohen afër 11 mijë euro të falsifikuara në bankënota nga 2 euro


E premte, 14 Prill 2023

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e Policisë së Kosovës ka njoftuar se ka konfiskuar në Ferizaj 10 mijë e 600 euro që dyshohet se janë të falsifikuara. Kjo shumë e parave është thënë se janë në bankënota nga 2 euro, përderisa janë arrestuar dy persona, një burrë dhe një grua, të cilëve iu ka pamundësuar sjellja e parave të falsifikuara nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Kosovë. Sipas njoftimit zyrtar, Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Ferizaj pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore disamujore, ka arritur të sigurojë prova materiale se të dyshuarit me iniciale A.L. dhe V.F. janë duke sjellë para të falsifikuara nga Maqedonia e Veriut në Kosovë.Pas kësaj, kjo Njësi së bashku me DHKEK kanë përgatitur një plan operativ të koduar me emrin “Taksisti 2023”. “Sot gjatë realizimit të këtij plani, në Magjistralen Ferizaj-Kaçanik, iu është pamundësuar të dyshuarve sjelljen e parave të falsifikuara nga Republika e Maqedonisë në vendin tonë” – ka thënë Policia.
Tutje është thënë se gjatë realizimit të këtij plani në mënyre mjaft efikase, Policia ka arritur të konfiskojë 50 paketime me gjithsej 10 mijë euro para të falsifikuara në bankënota nga 2 euro. Gjithashtu gjatë realizimit të planit është arritur të konfiskohen edhe 600 euro të tjera, prapë nga dy 2 euro të falsifikuara.Policia, në vazhdën e këtij operacioni, bazuar në urdhrin verbal të prokurorit të rastit, ka kryer bastisje në dy lokacione, njëri në fshatin Rakaj-Ferizaj dhe tjetri në Han të Elezit, ku përpos parave të flasifikuara që kanë konfiskuar janë konfiskuar edhe disa vetura e telefona. Një veturë “Mercedes”, një veturë “Opel Vektra”, një telefon mobil “Samsung”, një telefon mobil “Samsung A-12” u konfiskuan po ashtu nga ana e PK-së. Policia ka thënë se ndaj A.L. dhe V.F. ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer vepër penale – falsifikim i parasë. Këto veprime policore kanë bërë që të shkëputet një linjë të furnizimit me para të falsifikuara dhe i ka pamundësuar që në të ardhmen personat e dyshuar në fjalë të mund të sjellin para të falsifikuara në Republikën e Kosovës.Të gjitha veprimet hetimore kanë qenë të koordinuara me prokurorin në Ferizaj dhe pas përfundimit të planit operativ, të dyshuarit në prezencë të avokatëve mbrojtës janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejme ligjore./kallxo.com/
Foto: Policia e Kosovës

Etiketa: ,
Të fundit