Kosovës negociata, Shqipërisë kandidaturë


E martë, 15 Tetor 2013

Bruksel, 15 tetor – Komisioni Evropian (KE) pritet të rekomandojë për Shqipërinë dhënien pa kusht të statusit kandidat , ndërsa për Kosovën – dritën jeshile të fillimit të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA). Negociatat pritet të fillojnë brenda këtij muaji, dhe të përmbyllen në fund të verës së vitit 2014.

Rasti i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit për Kosovën është i pari që nuk do të kërkojë ratifikim nga parlamentet e shteteve anëtare të BE-së, transmeton alsat-m njoftimin.

Serbia nga ana tjetër, do të marrë rekomandimin për fillimin e bisedimeve, dhe pritet që në dhjetor, Këshilli i Ministrave të BE-së të vendosë që bisedimet me Serbinë të nisin në janar të vitit të ardhshëm. Mali i Zi, i cili po vijon procesin e negociatave të anëtarësimit, duhet të bëjë përpjekje më të mëdha në luftën kundër krimit dhe korrupsionit si dhe një qasje të re në politikëbërje. Për sa i përket Bosnjës, Komisioni do të kërkojë kompromis politik dhe qasje serioze në përmbushjen e disa kritereve; siç janë zgjidhja e çështjes së diskriminimit të minoriteteve kombëtare në procesin zgjedhor, si dhe krijimi i një mekanizëm të vetëm për të koordinuar marrëdhëniet me BE-në.

Të fundit