KQZ shpall rezultatet përfundimtare për zgjedhjet vendore në Shqipëri


E hënë, 10 Gusht 2015

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Shqipërisë ka shpallur sot rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të datës 21 qershor 2015. Vendimi për rezultatet përfundimtare zyrtare të këtyre zgjedhjeve ka marrë votat pro të të gjithë anëtarëve të KQZ-së, duke u miratuar me 7 vota, raporton Anadolu Agency (AA).

Në përfundim të mbledhjes së sotme, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefterije Luzi ka mbajtur një konferencë për mediat, ku u shpreh se KQZ arriti të krijonte infrastrukturën e nevojshme zgjedhore përgatitore dhe funksionale, për garantimin e integritetit të procesit të lirë, të ndershëm dhe të pavarur zgjedhor.

Koalicioni i majtë i emërtuar Aleanca për Shqipërinë Europiane, ka fituar 45 bashkitë nga 61 gjithsej, ndërsa 15 bashki u fituan nga koalicioni opozitar (Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet) dhe një nga Partia minoritare Mega.

Në këtë zgjedhje në rang kombëtar nga numri i votave për partitë politike u shpall fitues koalicioni i majtë i udhëhequr nga partia në pushtet, Partia Socialiste e Shqipërisë (PS), i përbërë nga 37 parti politike i quajtur Aleanca për Shqipërinë Europiane, që arriti të marrë 991.609 vota ose 63.48 përqind. Partia kryesore e koalicionit, ajo Socialiste arriti të sigurojë 25.78 përqind të votave në shkallë vendi, ndërsa brenda këtij koalicioni Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), siguroi 16.64 përqind të votave.

Ndërsa blloku opozitar i përberë nga 15 parti politike i kryesuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë, Aleanca Popullore për Pune dhe Dinjitet u rendit në vendin e dytë duke marrë 32.47 përqind të votave, ose 507.285 vota në shkallë kombëtare. Partia Demokratike mori 20.33 përqind të votave në shkallë vendi.

Kujtojmë se zgjedhjet vendore në Shqipëri u mbajtën më 21 qershor 2015, ku garuan rreth 60 parti politike, dhe gjithsej 157 kandidatë për kryetarë për 61 bashki në vend. Rreth 3.370.206 shtetas shqiptarë ishin regjistruar në listat e zgjedhëse për të ushtruar të drejtën e votës, ndërsa pjesëmarrja në këtë zgjedhje ishte rreth 48 përqind.

Risia e këtyre zgjedhje është se ato u zhvilluan sipas ndarjes së re administrative të vendit, ku nga reforma territoriale e miratuar në Kuvendin e Shqipërisë, u votua për kryetarët e rinj në 61 bashkitë e vendit. Më parë në Shqipëri ekzistonin 373 bashki dhe komuna (njësi vendore).

Etiketa: ,
Të fundit