Krasniqi: Raporti do të jetë një dokument orientues për Kuvendin


E mërkurë, 16 Tetor 2013

Prishtinë, 16 tetor – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në takim përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, nga i cili pranoi Raportin e Progresit për Kosovën.

Duke i dorëzuar kryetarit Krasniqi raportin, përfaqësuesi evropian në Kosovë tha se ai përmban dy qëllime kryesore: shikimin prapa për punën që është bërë, si dhe objektivat për të ardhmen, në të cilat duhet të fokusohet Kosova.

Zhbogar e konsideroi raportin pozitiv, pasi ai pasqyron të arriturat e Kosovës gjatë periudhës raportuese dhe identifikon sfidat për të ardhmen. Në këtë drejtim, u vlerësua pozitivisht edhe puna e Kuvendit të Kosovës.

Duke e falënderuar përfaqësuesin e BE-së, për raportin, kryeparlamentari Krasniqi tha se ai do të studiohet hollësisht dhe do të nxirren detyrat përkatëse për Kuvendin në tërësi, ndërsa komisionet do t’i hartojnë, sipas praktikës së deritashme, planet e tyre të veprimit.

Kryetari Krasniqi tha se Kuvendi mbetet i përkushtuar në implementimin e objektivave të tij, në procesin e integrimeve evropiane për Kosovën.

“Raporti i Progresit do të jetë një dokument orientues për punën e Kuvendit gjatë periudhës në vazhdim”, theksoi kreu i legjislativit të vendit, ndërsa shfaqi shpresën se raporti i ardhshëm do të jetë edhe më pozitiv për Kuvendin, mbi bazën e punës së tij, ka njoftuar Zyra për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës.

Etiketa: ,