Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Krasniqi: U bashkuam me PDK-në sepse po rrezikohej siguria kombëtare

Astrit Shehu | 18:52 - 20.05.2017

Njëri prej udhëheqësve të NISMA’s për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka thënë se koalicioni i ndërtuar me PDK’në është i besimit për fitore e jo i frikësimit.

Ai ka thënë se janë bashkuar pasi është rrezikuar siguria kombëtare. Ka përmendur edhe cenimin e tërësisë territoriale.

“Në rrethana politike, kur rrezikohet siguria kombëtare, tërësia territoriale, sovraniteti i shtetit e zhvillimi ekonomik, po kërkohet bashkimi ynë përtej programeve politike a ideologjike të partive politike. Ne duhet të jemi aty ku kërkohet bashkimi për kombin e shtetin! Sot, nga ne po kërkohet ky veprim dhe ne, nuk guxojmë të hezitojmë! Ne rrethana të tilla, vendimet janë të shpejta! Koha le t’i verifikojë”, ka thënë Krasniqi.

Ky reagim i ish-Kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi ka ardhur pasi LDK ka thënë se koalicioni i partive të dala nga lufta kthen Kosovën në vitet 2000.

Ndër të tjerash ai ka thënë:

7 Koalicioni i besimit për fitore, jo i frikësimit!

Në tri vitet e jetës politike të NISMËS për Kosovën, gjurmët e saja në jetën politike të Kosovës janë shumë të mëdha. Fal atyre që na besuan! Dhe ne, nuk i zhgënjyem!

NISMA pas zgjedhjeve të qershorit 2014, qytetarëve të Kosovës ua dha shpresën e ndryshimit, të cilën shpresë ua mohoi Kryetari i LDK-së; për herë të parë në jetën parlamentare në Kuvendin e Kosovës kishte një opozitë të bashkuar në të gjitha veprimet politike edhe veprimi më i freskët i NISMËS, Mocioni i mosbesimit i cili e ndërpreu Qeverisjen e keqe në Kosovë është i tillë. Gjithnjë në shërbim të ndryshimit e të bashkimit!

Ne jemi të bindur se edhe në të ardhmen, NISMA, duke qenë pjesë e koalicionit fitues do të vihet në shërbim të një qeverisje që do të ndryshojë rrënjësisht nga qeverisjet e kaluara. Vendime tjera të mëdha e presin NISMËN për Kosovën duke qenë pjesë e qeverisjes se ardhshme!

Nisma do të vazhdoj fuqishëm konsolidimin e parimeve progresive të socialdemokracisë moderne në Kosovë!

Ne, të NISMËS Për Kosovën jemi të bindur se: Kosova, vetëm me një parti socialdemokrate, që ligjin e ligjësimin e lirisë e të drejtësisë sociale e ka qëllim, mund t’i kalojë sfidat për ndërtimin e shtetit të se drejtës, të shtetit të zhvilluar ekonomik, të shtetit të dijës e të drejtësisë sociale, që qytetarin e sheh dhe e trajton si pronarin kryesor të vendit e jo si shërbëtor të qeveritarëve.

Shtetin e se drejtës duhet ta ndjejnë, ta duan, ta shohin e ta prekin qytetaret e Kosovës, kudo ku ata punojnë e jetojnë, si në sektorin publik e po ashtu edhe në sektorin private, si në qytet ashtu edhe në fshat. Qytetarët e këtij vendi duhet t’i mbron ligji nga skllavërimi e shfrytëzimi i egër që atyre ua bëjnë oligarkët financiarë.

Qytetarët e Kosovës, punëtorët e fshatarët, grat e burrat, të rejat e të rinjtë e Kosovës, duhet ta dinë se NISMA për Kosovën, Drejtuesit e saj, ishin në shërbim të tyre edhe atëherë kur nuk kishte parti e liri, edhe atëherë kur ishim në burgje a në luftë, do të jemi në shërbim të tyre edhe sot e nesër kur kemi liri e pavarësi, kur kemi shtet e të drejtën për sovranitet!

Cilësia e punës, e jetës dhe e sigurisë se qytetarëve varet shumë se çfarë shteti po ndërtojmë! Shtet, për qytetarë të lirë apo shtet, për sundimtarë satrap. Shteti është i qytetarëve dhe për qytetarët!

Lirinë që e sollëm dje me qytetarët e për qytetarët, sot se bashku me qytetarët do ta forcojmë sovranitetin pa fusnotë, do të vendosim prioritet zhvillimin, sigurinë, shtetin e se drejtës, shtetin e drejtësisë sociale, shtetin me arsim të avancuar e shëndetësi të përparuar!

Kosova ka pasuri për të pasur më shumë mirëqenie qytetari i saj! Edhe sot, angazhimi ynë është për qytetarët, për mirëqenien e sigurinë e tyre! Ndryshimin ua kemi borxh qytetarëve te Republikës!

Më 12 qershor 20117 do të fillon numërimi i orientimit të ri, për një qeverisje të Re. Një qeverisje që garanton vendimmarrje sovrane në shtetin e se drejtës!

Ne, të NISMËS, kurrën e kurrës nuk do t’i pranojmë marrëveshjet nënshtruese me të cilat mund të humbin territor e sovranitet!Territori e Sovraniteti për ne janë e do të janë të paprekshëm!

Qytetarëve tanë, vetëm parimet dhe politikat socialdemokrate mund t’ju sigurojnë perspektivë e mirëqenie. Sigurisht që për këto politika, kërkohet një mbështetje e fuqishme e qytetarëve.

Qytetarët e Kosovës do ta kenë rastin të rreshtohen e t’i ndihmojnë vlerat e socialdemokracisë, vlera që Botës Perëndimore i kanë sjellë progres e zhvillim! Progresi dhe zhvillimi i duhet Republikës sonë!

NISMA, interesit kombëtar do t’i qëndrojë Besnik, në çdo kohë e në çdo rrethanë!

Qytetarë të Kosovës,

Socialdemokratë të Kosovës,

Në rrethana politike, kur rrezikohet siguria kombëtare, tërësia territoriale, sovraniteti i shtetit e zhvillimi ekonomik, po kërkohet bashkimi ynë përtej programeve politike a ideologjike të partive politike. Ne duhet të jemi aty ku kërkohet bashkimi për kombin e shtetin! Sot, nga ne po kërkohet ky veprim dhe ne, nuk guxojmë të hezitojmë! Ne rrethana të tilla, vendimet janë të shpejta! Koha le t’i verifikoj!


Etiketa:
Arivisti Company