E mërkurë, 9 Dhjetor 2015
Tiranë – Shefi i opozitës e ka cilësuar protestën e djeshme të thirrur nga demokratët, si hapin e parë drejt një qeverisje të re. Nga podiumi i vendosur para kryeministrisë kreu i opozitës, Lulzim Basha deklaroi se mosbindja civile ka nisur dhe nuk do të ndalet deri kur të shporret qeveria Rama-Meta. Ai tha se e vetmja zgjidhje është largimi i qeverisë, ndërsa paralajmëroi vijimin e aksionit të opozitës.
Marshimi
Nga sheshi “Skënderbej” dhe më pas nga selia e Partisë Demokratike, me mijëra protestues të opozitës kanë marshuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, me thirrjet dhe parullat kundër qeverisë në këtë 8 dhjetor, që shënon përvjetorin e 25-të nga rënia e komunizmit. Protestuesve të parë në shesh u janë bashkuar sekretari organizativ i PD-së, Enno Bozdo dhe sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani. Më pas, në shesh mbërriti edhe kryetari Lulzim Basha dhe ish-kryetari Sali Berisha. Ata kanë përshkuar në këmbë gjithashtu rrugën nga selia e PD-së te podiumi i vendosur përballë zyrës së kryeministrit në bulevard. Protesta nisi me fjalën e deputetit Gent Strazimiri, i cili tha se demokratët protestojnë për varfërinë në të cilën ndodhet vendi. Ndërsa deputeti Arben Ristani tha se qeveria duhet të largohet, për t’ua lënë vendin zgjedhjeve të parakohshme. Të gjithë që morën fjalën në podium e kanë cilësuar qeverinë, si më të keqen që ka pasur vendi në 25 vite, duke kërkuar largimin e saj. Ndonëse ishte gjatë gjithë kohës në krah të kryetarit Basha, kreu historik i së djathtës, Sali Berisha nuk u ngjit në podium për të përshëndetur protestuesit, pavarësisht se ovacionet më të shumta të mbështetësve të PD-së ishin kur përmendej emri i tij.
Thirrja e Bashës
Në fjalimin e tij kreu i opozitës, Lulzim Basha, theksoi se kjo rrugë e nisur e opozitës nuk do të mbyllet pa rrëzimin e qeverisë dhe zgjedhjet e parakohshme. “Para nesh shtrohen sot vetëm dy zgjidhje: ose të largojmë qeveri-fatkeqësinë, ose të pranojmë, duke bërë sehir largimin e popullit, largimin tuaj nga Shqipëria. Ose të rrëzojmë qeverinë, ose të pranojmë rrëzimin e Shqipërisë. Rrugë të mesme nuk ka. Nuk ka më kohë dhe nuk duhet t’i japim më kohë qeverisë së Edi Ramës me 40 hajdutë. Nuk ka më pritje dhe nuk duhet të presë më askush, asnjë ditë. Pritja e mbaroi kohën e saj. Ikni, largohuni. Janë ata vetë që kanë kurdisur mekanizmin oligarkik të korrupsionit, që mund ta ndalojmë vetëm duke e shkatërruar nga themelet”, tha Basha gjatë protestës.
Gjatë fjalimit të tij, Basha përmendi ato që opozita i ka denoncuar si aferat korruptive të kësaj qeverie, duke argumentuar dhe nënvizuar në këtë mënyrë edhe qëllimin e protestës së opozitës. “Qeveria teknike është zgjidhja. Zgjedhjet e reja me rregullat demokratike të shkruara dhe të zbatuara janë zgjidhja. Liri nga tirania e krimit, korrupsionit dhe e padrejtësisë është thirrja jonë. Ikni, shporruni! Le të shkruajmë së bashku një faqe të re në historinë e civilizimit tonë, faqen ku shkruhet se shqiptarët u ngritën, u bashkuan dhe përmbysën me forcën e bashkimit një qeveri që kishte dalë nga binarët, që i vidhte, i rrënonte dhe i dëbonte. Faqen ku shkruhet se shqiptarët nuk pranuan kokulur tiraninë e re. Se shqiptarët nuk ranë në natën e gjatë të padrejtësisë, krimit, korrupsionit dhe varfërisë, se u ngritën dhe morën në dorë fatin e tyre. Faqen ku shkruhet se Shqipëria ngrihet dhe shqiptarët ngrihen dhe ecin përpara, drejt dritës së Zotit. Rroftë liria, zoti e bekoftë Shqipërinë”, përfundoi deklaratën Basha.
PD: Vandalë jo protestuesit, por ata që po zhvatin pasuritë publike
Akuzave të mazhorancës për dhunë dhe vandalizëm gjatë protestës së opozitës u është përgjigjur deputeti demokrat, Flamur Noka. Në një postim në faqen e tij në “Facebook”, shkruan se protesta e opozitës ishte një leksion i kurajës qytetare. Sipas Nokës, dy dhunuesit më të mëdhenj të institucioneve kishin fshehur kokën nga paniku deri pasdite vonë. “Dy dhunuesit më të mëdhenj të institucioneve dje në opozitë, Rama e Tahiri dhe dhunuesit më të mëdhenj të shqiptarëve sot në pushtet, kanë bilbilosur nga kompjuteri. Nga kompjuteri bilbilosën pas protestës se kishin fshehur kokën nga paniku deri këtë pasdite të vonë. Protesta e opozitës ishte një leksion i kurajës qytetare. Qytetarët e bashkuar treguan se ekzistojnë se janë në këmbë dhe se qeveria më e korruptuar në Evropë duhet të japë llogari.
Vandalët janë ata që po ndajnë miliardat mes tyre dhe po zhvatin pasuritë publike. Ata janë vandalet e Shqipërisë drejt fundit të sigurt”, tha Noka. Edhe deputeti, Arben Ristani ka reaguar pas protestës së opozitës, duke e cilësuar miting madhështor. Ai shprehet se revolta popullore nuk do ndalet derisa ta mbyllë përfundimisht shpirtziun cinik Rama në bunkerin e tij. “Miting madhështor i opozitës. Një popull i tërë në këmbë për të hequr qafe peshën e rëndë të qeverisë antipopullore. Një popull i tërë në këmbë i frymëzuar nga Lulzim Basha dhe opozita që proteston kundër varfërisë, kundër korrupsionit, kundër krimit në pushtet, kundër cinikut, shpirtziut, të paaftit, të pashpirtit Rama. U fsheh biri i atit vrasës, derisa opozita mbylli mitingun, dhe nxori kokën të bënte ciu-ciu nga kushedi cili bunker. Ta mësojë mirë shpirtziu cinik se revolta popullore nuk do ndalet derisa ta mbyllë përfundimisht në bunkerin e tij”, tha numri dy i PD-së.
SHBA dhe BE: Dhuna nuk është mjet i pranueshëm
Zyra e Bashkimit Evropian dhe Ambasada Amerikane dënuan dhunën e shfaqur në protestën e opozitës gjatë ditës së djeshme, duke theksuar se kthimi te dhuna është i papranueshëm. “E drejta e qytetarëve për të shprehur shqetësimet dhe pakënaqësinë përmes protestës paqësore është një tipar thelbësor i demokracisë moderne evropiane dhe si e tillë duhet ruajtur. U raportua një numër aktesh dhune dhe vandalizmi. Kthimi te dhuna është i papranueshëm. Shqipëria përballet me një agjendë të vështirë reformash në lidhje me procesin e integrimit të saj evropian. Ne u bëjmë thirrje gjithë partive dhe nëpunësve publikë, përfshirë veçanërisht opozitën, që ta dënojnë dhunën dhe të angazhohen në një dialog politik konstruktiv”, lexohet në deklaratën e BE-së.
Dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon dhunën e ushtruar gjatë protestës në Tiranë. Përmes një deklarate për mediat, ambasada amerikane thekson se “e drejta e qytetarëve për t’u mbledhur, për t’i bërë kërkesa qeverisë dhe për të protestuar paqësisht është simboli i një shoqërie të lirë dhe të shëndetshme”. Por sipas saj, “akte të tilla si hedhja e gurëve, vënia flakë strukturave dhe dëmtimi i pronës publike nuk përputhet me vlerat demokratike”. Ambasada e SHBA-së i bën thirrje Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe të gjitha partive të tjera t’i hedhin poshtë këto akte dhe të marrin të gjitha hapat e nevojshëm për t’u siguruar që në të ardhmen protestat të mbeten paqësore dhe konstruktive./shekulli/
Etiketa: Lulzim Basha, Shqipëri