E premte, 18 Nëntor 2016 
Në ditën e sotme të vitit 1991 me rënien e qytetit tërësisht të shkatërruar ka marr fund rrethimi dhe bombardimi i vazhdueshëm tremujor nga ushtria jugosllave (JNA) dhe forcat paramilitare serbe të qytetit kroat të Vukovarit, për çka në qytet kishin rënë mbi 6.5 milionë granata, raporton Anadolu Agency.
Siç njoftojnë nga Qendra për Ballafaqim me të Kaluarën, gjatë rrethimit tremujor të qytetit kanë vdekur mbi 3.000 civilë dhe luftëtarë kroat në mesin e të cilëve 86 fëmijë. Pas rënies së qytetit qindra të marrë peng kaluan nëpër qendrat e torturës në llogoret dhe burgjet në Serbi.
“Gjatë ditëve të fundit të rrethimit disa civilë dhe ushtarë kroat u strehuan në spitalin e Vukovarit, por pas marrjes së spitalit nga ana e APJ-së, majori Shljivançanin vizitoi pacientët dhe më pas më 20 nëntor, 1991 nxori mënjanë 269 persona, nga të cilat vetëm disa nuk u vranë”, kujtoi Qendra nga ku theksojnë se është gjetur një varrezë masive ku janë identifikuar 200 persona.
Viktima më e re e ekzekutuar në Ovçara ishte 17 vjeç, ndërsa më e moshuara 72 vjeç. U vranë edhe dy gra, njëra prej të cilave ishte shtatzënë.
Pavarësisht nga fakti se për disa krime rreth Vukovarit janë ngritur hetime ku janë shpallur disa fajtorë dhe dënuar me burgim të gjatë, shumë vrasje të civilëve kroatë, serbë dhe të tjerë si dhe të ushtarëve kroatë të cilat kanë ndodhur gjatë verës dhe vjeshtës së vitit 1991, akoma nuk janë hetuar.