Kryeministrat miratojnë statusin


E premte, 27 Qershor 2014

shqiperia-ne-be

Nga sot, Shqipëria është zyrtarisht vend kandidat për në BE. Sipas traktateve të BE-së është Këshilli Europian, në nivelin e krerëve të 28 shteteve anëtare, që vendos për politikën e zgjerimit. 

Ky samit europian, i fundit nën drejtimin e Presidencës greke, përmbushi formalitetin duke miratuar konkluzionet e Këshillit për çështjet e Përgjithshme.

Të martën, ministrat europianë renditën edhe kushtet, që duhet të përmbushë Tirana zyrtare, në mënyrë që të nisë procesin real të anëtarësimit, nisjen e negociatave me BE.

Përveç 5 prioriteteve kyçe, që kanë të bëjnë me Administratën Publike, gjyqësorin, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe minoriteteve, si dhe zbatimin e të drejtës së autorit, Këshilli i përgjithshëm kërkoi dhe garantimin e sigurisë juridike për operatorët ekonomikë, si dhe respektimin e marrëveshjes për liberalizimin e vizave

Megjithëse në konferencën e fundit për shtyp të Presidencës, kryeministri Samaras foli për “shtytje të re për zgjerimin”, kjo politikë e BE-së nuk u përfshi ndër prioritetet e përcaktuara për 5 vitet e ardhshme nga kjo tryezë e krerëve të shteteve dhe qeverive europiane.

Nga 1 Korriku, Presidenca e BE-së i kalon Italisë, një ndër vendet kryesore mbështetëse të integrimit europian për vendet e Ballkanit, por gjatë drejtimit të saj 6-mujor nuk priten hapa të mëtejshëm në lidhje me zgjerimin e BE-së.

Të fundit