Kryeministri Haradinaj pritet nga ministri Hollingbery në Londër


E hënë, 9 Korrik 2018

Londër – Gjatë qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është pritur në takim nga ministri i Shtetit për Tregti Ndërkombëtare, George Hollingbery.

Haradinaj ka falënderuar Hollingbery për mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar ka dhënë në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova.

Ai ka thënë se Kosova është e interesuar që raportet e mira politike me një partner shumë të rëndësishëm si Mbretëria e Bashkuar, t’i forcojë edhe në aspektin ekonomik dhe tregtar.

“Zhvillimi ekonomik është prioritet i Qeverisë së Kosovës, andaj praktikat e mira dhe ndihma nga qeveria britanike do të jetë e mirëseardhur për përmirësimin dhe fuqizimin e zhvillimit ekonomik të vendit”, ka thënë Haradinaj.

“Po ashtu, kryeministri Haradinaj, ka potencuar faktin se në Kosovë është krijuar klimë e mirë e të bërit biznes, janë ndërmarrë hapa që prodhuesit në Kosovë të jenë të barabartë me prodhuesit rajonal dhe prodhuesit e shteteve të Bashkimit Europian”, thuhet në kumtesën e Qeverisë së Kosovës.

Haradinaj ka theksuar më tej se diaspora kosovare në Londër ka treguar suksese në shumë fusha dhe bashkëpunimi në këtë drejtim do të sjellë frymë të re partneriteti ekonomik.

Ministri i Shtetit për Tregti Ndërkombëtare, George Hollingbery, ka falënderuar kryeministrin Haradinaj për bashkëpunimin e deritanishëm, duke thënë se Mbretëria e Bashkuar është e interesuar të thellojë bashkëpunimin dhe se Kosovën e sheh si një partnerë serioz në fushën e ekonomike, veçanërisht në atë të këmbimeve tregtare.

Etiketa: ,
Të fundit