E martë, 6 Dhjetor 2016
Tokio – Kryeministri i Japonisë Shinzo Abe nuk do të kërkojë falje gjatë vizitës në portin Pearl Harbor më 26 dhjetor, ku do të mbajë takimin e fundit bilateral me presidentin amerikan në ikje, Barack Obama, njoftoi Qeveria e Japonisë, transmeton Anadolu Agency.
Sekretari i Përgjithshëm i qeverisë japoneze Yoshihide Suga, tha se qëllimi i vizitës është “për t’i nderuar viktimat e luftës dhe jo kërkim falje”.
Ai tha se kjo do të jetë një mundësi për ti treguar gjeneratave të ardhshme vendosmërinë që të mos përsërisin gabimet dhe vuajtjet e luftës si dhe një mundësi për pajtim midis Japonisë dhe SHBA-ve.
“Kryeministri ka thënë gjithçka që mund të thuhet për ndjenjat e tij në lidhje me luftën në deklaratën e tij në gushtin e kaluar, gjatë shënimit të 70 vjetorit të përfundimit të luftës”, tha Suga, transmetojnë mediat japoneze.
Kryeministri japonez më parë kishte thënë se me vizitën në Pearl Harbor dëshiron të dërgojë mesazh të përafrimit mes Japonisë dhe SHBA-ve, me mesazhin “tragjedinë e luftës, kurrë nuk guxojmë të përsërisim”.
Abe kështu do të bëhet kreu i parë i Qeverisë së Japonisë i cili do të vizitojë Pearl Harbor-in, dhe kjo është një lloj si përgjigje ndaj vizitës së fundit të Obamës në Japoni, gjatë së cilës ai u bë presidenti i parë amerikan që vizitoi Hiroshimën, ku SHBA-të kanë hedhur bombën atomike gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Forcat ajrore japoneze më 7 dhjetor të vitit 1941, sulmuan marinën amerikane në Pearl Harbor, pas së cilës SHBA-të u përfshirë në Luftën e Dytë Botërore.