E premte, 20 Qershor 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në një takim zyrtar Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.
Takimi u zhvillua në frymën e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet dy vendeve dhe kishte për qëllim forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe. Gjatë bisedës, u theksua nevoja për të avancuar projektet ekzistuese dhe për të ndërtuar iniciativa të reja në fusha kyçe si ekonomia, infrastruktura, siguria dhe arsimi.
Kryeministri Kurti dhe ambasadori Malaj diskutuan për zbatimin e marrëveshjeve të deritanishme ndërqeveritare dhe mundësinë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit përmes projekteve konkrete që do të sjellin përfitime të prekshme për qytetarët e të dy vendeve.
Në takim u trajtuan edhe zhvillimet e fundit politike në Kosovë, përfshirë procesin e konstituimit të Kuvendit të ri dhe formimin e institucioneve pas zgjedhjeve. Palët ndanë qëndrime të përbashkëta mbi rëndësinë e stabilitetit institucional dhe bashkëpunimit rajonal.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për angazhimin e ambasadorit Malaj në forcimin e marrëdhënieve vëllazërore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke vlerësuar rolin aktiv të tij në ndërlidhjen institucionale dhe kulturore ndërmjet dy vendeve.