E enjte, 27 Shtator 2018
Prizen – Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, ka organizuar një takim për të trajtuar temën e dhunës në familje.
Në këtë takim ishin të pranishëm prokurorë përgjegjës për rastet e dhunës në familje, përfaqësues nga Policia e Kosovës për rajonin e Prizrenit, gjykatës, mbrojtës të viktimave, përfaqësues nga Qendra për Punë Sociale, Strehimorja, Zyra për Ndihmë Juridike Falas si dhe zyrtarë nga Shërbimi Sprovues, njofton Klan Kosova.
Kryeprokurori Shala kërkoi nga të pranishmit bashkëpunim në trajtimin e rasteve të tilla, t’i kenë në prioritet të plotë dhe të reagohet me urgjencë ndaj tyre.
Ndërkaq, koordinatorja për dhunë në familje nga Prokuroria Themelore në Prizren, Mehreme Hoxha, zyrtarëve policorë ua prezantoi nga një kopje të vlerësimit të rrezikut si dhe të urdhërit për mbrojtje emergjente, me rekomandimin që në të ardhmen së bashku me kallëzimin penal, të plotësohet nga viktima edhe formulari për vlerësimin e rrezikut.
Në fund të takimit, të gjithë pjesëmarrësit vlerësuan se duhet të thellohet edhe më tutje bashkëpunimi dhe të mbahen takime më të shpeshta sa i përket rasteve të tilla në mënyrë që të shtohen mekanizmat e mbrojtjes ndaj dhunës në familje.
Etiketa: Admir Shala, Dhuna në Familje, Kryeprokurori, Prizren