Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Ku janë ata mësues e profesorë në Preshevë që nuk dalin në protesta e të kërkojnë abetaren shqipe së bashku me nxënësit e tyre

Prizren Post | 02:33 - 10.09.2017

Autor: Valon JASHARI

Historia e popullit shqiptar është ndër më të përgjakshmet dhe më të vuajtuarat që njeh historia botërore e arsimit, së paku gjatë mbi 500 viteve nën sundimin osman se i’u mohua shkolla, gjuha dhe alfabeti shqip, vetëm popullit shqiptar dhe asnjë nga popujt ballkanik që ishin nën pushtimin osman nuk e patën këtë fat të hidhur. Popullatën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kjo fatkeqësi historike po e ndjek edhe sot e kësaj dite për shumë arsye.
Udhëhiqet nga një klasë politike që gjendet nën pushtimin serb, nuk kanë në platformat e tyre politike një planprogram dhe një strategji kombëtare se si duhet ndjekur vijat e qarta për shkollën shqipe në këtë rast për abetaren shqipe, pasohet nga njëri brez tek tjetri një mentalitet nënshtrues i klasave politike lokale, nuk janë këmbëngulës në kërkesat kruciale si arsimi. Mbajnë distanca si me fqinjët me vëllezërit e tyre në Prishtinë, Tiranë e Tetovë dhe mbi të gjitha nivelin e atdhedashurisë për vendin, shkollën e kanë shumë të ulët.

Në këtë shtator të shejtë të rrugës së dijes nuk janë pafajë edhe mësimëdhënsit, ku janë ata mësues, profesorë, që nuk dalin të kërkojnë së bashku me nxënësit e tyre abetaren shqipe, historinë e popullit shqiptar e libër leximin shqip. Athua vallë këta mësues nuk janë të vëtëdishëm se duhet të kryejnë misionin e shejtë të rilindasëve tanë që edhe jetën dhanë për librin shqip për abetaren shqipe e për shkollën shqipe si dhe si prindërit të dytë për të edukuar fëmijët tanë me libra shqip, apo janë sa për të marrë ato rroga e që të i’a vrasin perspektivën e fëmijëve shqiptarë. E kuptoj se mësuesit nuk do ta shihnin si etike që t`i thuhet që së paku ditën e parë të shkollës që të gjithë së bashku me nxënësit e tyre të dalin të protestojnë mu në sheshin e Preshevës me një zë shumë të fuqishëm për abetaren shqipe gjë që do të krijonte një besim të patundur në shoqërinë shqiptare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës se duhet bërë përpjekje të parreshtur për abetaren shqipe.

Se fundja të gjitha ndryshimet rrënjësore për shoqërinë njerëzore kanë ardhur nga studentët, rinia dhe ky reflektim do të ketë efekt si në nivelin lokal të klasës politike poashtu edhe në atë ndërkombëtarë se në shekullin XXI na mohohet e drejta e mësimit në gjuhën amtare me abetaren tonë.

Një kontribut të veçantë mund të japin mërgata shqiptare e cila duhet të organizohet e të udhëhiqet nga intelektualët atdhetar, e cila është në numër të konsiderushme jashtë dhe për fat të mirë tani më kemi nga mërgata kuadro shumë të shkolluar nëpër universitete botërore, gjë që janë një urë lidhëse me institucione të ndryshme ndërkombëtare të arsimit, shkencës e donacioneve, që të kontribojnë për arsim. Mjafton t`i referohemi rilindasëve tanë ku shumica e tyre vinin nga kolonitë e mërgimit që ishin vendosur nëpër shtete të ndryshme, por që kontributi i tyre bëri që shkolla shqipe të ketë atë ecje vertikale të sukseshme gjatë periudhës së rilindjes.

Në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë thuaj se nuk kemi shoqëri civile apo qytetari aktive që çështjen e arsimit ta shtyejnë përpara, ajo pjesë e shoqërisë civile që është, është instrumentalizim i partive politike që më shumë merren me fushata politike e kampanja se për çështje me rëndësi si arsimi.

Tirana dhe Prishtina sillen brenda busullës së tyre politike me ndonjë reflektim të vogël por pa bërë atë që u takon, që duhet lobuar me mjetet e tyre nëpër institucionet relevante ndërkombtare.

Ndonëse vetë shkolla si institucion ka karakter edukativ arsimor por në vetvete ngërthen synime të qarta politike, ngase aty përgaditen dhe dalin kuadro për të përgatitur, vetëdisuar vetëdijen kombëtare për çlirimin e atdheut nga robëria dhe mbrojtjen e tij nga rreziqet me të cilat po përballet popullata. Andaj mësuesit kanë vetëm një mision atë që të edukojnë-shkollojnë brezat e rinjë vetëm në bazë të drejtës historike të etnogjenezës së popullit dhe se rruga e rilindasëve ende nuk ka përfunduar për mësuesit e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, dhe duhet që të ndjekin rrugën e tyre për shkollën shqipe.

 Valon Jashari – Historian, veteran i UÇPMB-së, ish-kryetar i “Lëvizjes së Lirisë” që vepron në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ish i burgosur në grupin e Dobrosinit si dhe aktivist për të drejtat e shoqërisë shqiptare.

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.


Etiketa:
Arivisti Company