Kufiri ende i mbyllur, hapja pritet sonte pas mesnate


E shtunë, 14 Shtator 2013

Shkup, 14 shtator – Shoqata e Transportuesve të Maqedonisë nuk i ka larguar kamionët që bllokojnë akset rrugore për automjetet në pikën kufitare në Bllacë, me arsyetimin se përderisa qeveria maqedonase ka marrë vendim dhe atë e ka firmosur, të njëjtën gjë nuk e ka bërë dhe pala kosovare.

Përfaqësuesja e MakTrans, Biljana Muratovska tha se nuk u beson deklarimeve me gojë dhe se ajo dëshiron të shohë dokument të nënshkruar, raporton Alsat-M.

“Nëse gjatë ditës, kryeministri i Kosovës gjen kohë për të nënshkruar një vendim që të heqë embargon për mallrat nga Maqedonia, në atë moment ne do të largojmë kamionët dhe do të fillojmë të funksionojë normalisht”, ka theksuar Muratovska.

Në vërejtjen se Shoqata e Transportuesve të Maqedonisë nuk është kompetente për të bërë kushtëzime të këtilla, Muratovska tha se përderisa pësojnë humbje të mëdha transportuesit,  kërkesa e saj është më se legjitime.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka deklaruar me telefon se hapja e kufijve ende nuk ka ndodhur, por kjo gjë pritet të ndodhë të shtunën pas orës 24:00.

Etiketa: , ,
Të fundit