Kujdes nga i nxehti, këto janë disa nga masat mbrojtëse


E premte, 4 Korrik 2025

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njoftoi se të premten temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 37 gradë Celcius.

Si duhet të mbrohemi?

Instituti i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka rekomanduar disa masa mbrojtëse ndaj ekspozimeve në temperature të larta për qytetarët.

IKSHPK thotë se duhet të shmanget qëndrimi në ambientin e jashtëm në pikun e nxehtësisë, raporton KosovaPress.

Gjithashtu, të konsumohet ujë për tu mbrojtur nga dehidrimi dhe të shmangen pijet e gazuara.

Instituti rekomandon që të përdoren kapelë dhe syze mbrojtëse nga dielli kur qëndrohet jashtë.

Është shumë e rëndësishme që të mos lihen fëmijët vetëm në veturë deri sa prindërit/kujdestarët kryejnë ndonjë punë.

Rekomandimet e IKSHPK-së kujtojnë se duhet të kontaktohen rregullisht të afërmit e moshuar, ose me sëmundje kronike, për të konfirmuar nevojat e tyre shëndetësore.

Një valë e të nxehtit po përfshin shumë pjesë të Evropës, duke i lënë miliona njerëz të përpiqen të përshtaten me temperaturat ndëshkuese dhe duke thyer rekorde.

Në Spanjë është raportuar për të paktën 102 persona të vdekur gjatë valës së parë ekstreme të të nxehtit për këtë vit, e cila filloi të shtunën.

Franca, në anën tjetër, ka lëshuar alarm të kuq në dhjetëra provinca, përfshirë Parisin, për shkak të nxehtësisë ekstreme. Dy ditë më parë u raportua për mbylljen e 1.350 shkollave, përkohësisht.

Edhe Italia po përballet me një valë moti ekstrem, dhe përmbytjet dhe nxehtësia e madhe kanë marrë dy jetë dhe kanë nxitur paralajmërime në disa rajone.

Organizata Botërore Meteorologjike, agjencia për motin dhe klimën e Kombeve të Bashkuara, deklaroi se do të duhet të mësohemi të jetojmë me normalitetin e ri të valëve ekstreme të të nxehtit, të cilat do të ndodhin më shpesh dhe do të jenë më intensive me kalimin e kohës.

Etiketa:
Të fundit