“Kur të plotësohen kushtet”, NATO-ja do ta ftojë Ukrainën


E mërkurë, 12 Korrik 2023

VILNIUS – Udhëheqësit e NATO-s thanë se do ta ftojnë Ukrainën për t’u anëtarësuar në aleancë “kur ata të bien dakord” dhe “të plotësohen kushtet”.

Ky është formulimi me të cilin u pajtuan krerët e të 31 vendeve anëtare, sa i përket perspektivës së anëtarësinit të Ukrainës në NATO.

Në ditën e parë të samitit që zhvilluan në Vilnius të Lituanisë, ata u dakorduan për thjeshtëzimin e procesit të pranimit të Ukrainës, duke e anashkaluar Planin e Veprimit të Anëtarësimit.

Ky plan përfshin reformat ekonomike dhe politike që një vend kandidat duhet t’i përmbushë, përpara anëtarësimit të plotë.

“Sot pranojmë se rruga e Ukrainës drejt integrimit të plotë euroatlantik ka tejkaluar nevojën për Planin e Veprimit për Anëtarësim. Ukraina po bëhet gjithnjë e më e ndërveprueshme dhe e integruar politikisht me aleancën dhe ka bërë përparim të rëndësishëm në rrugën e saj të reformave”, thuhet në dokumentin që miratuan udhëheqësit e aleancës.

Ukraina, e cila ndodhet nën pushtimin rus qysh nga shkurti i vitit të kaluar, priste garanci më të mëdha në lidhje me procesin e anëtarësimit.

Para miratimit të dokumentit, presidenti i vendit, Volodymyr Zelensky, shkroi në Twitter se është “e paprecedentë dhe absurde” nëse nuk vendoset një afat kohor për ftesën apo anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

“Duket se nuk ka gatishmëri as që Ukraina të ftohet në NATO, as të bëhet anëtare e aleancës”, tha Zelensky.

Megjithatë, për sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, mesazhi nga samiti është inkurajues për Ukrainën.

“Nëse i shikoni të gjitha proceset e anëtarësimit, ato nuk bazohen në afate kohore, ato bazohen në kushte – siç ka qenë gjithmonë”, tha Stoltenberg në një konferencë për gazetarë.

Me gjithë insistimin e gazetarëve se për çfarë kushtesh bëhet fjalë në rastin e Ukrainës, ai nuk dha përgjigje konkrete.

Zelensky ndodhet në Vilnius dhe do të marrë pjesë në ditën e dytë të samitit të NATO-s, më 12 korrik, kur edhe do të formohet Këshilli i parë NATO-Ukrainë – organ ky që pritet t’i përmirësojë marrëdhëniet mes aleancës dhe Kievit./REL

Etiketa: , ,
Të fundit