Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Kurti: Më 24 qershor e presim ministrin Hoxhaj të raportojë

Prizren Post | 19:26 - 21.06.2013

Si Komision për Punë të Jashtme i Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbështetur në fushëveprimin tonë dhe në Planin e Programin e Punës për vitin 2013, e patëm ftuar më 11 shkurt kryeministrin Thaçi që të vijë e të raportojë në komisionin tonë për dialogun politik me Serbinë në Bruksel. Ai jo vetëm që nuk erdhi por as që u përgjigj fare. Janë bërë më shumë se katër muaj nga kjo ftesë e jona, thuhet në një komunikatë për opinionin publik të Albin Kurtit, kryetarit të Komisionit për politikë të jashtme.

“Si Komision për Punë të Jashtme, më 23 maj 2013, e kemi ftuar edhe ministrin e Jashtëm Enver Hoxhaj. As ai nuk është përgjigjur për plot katër javë, dhe më 19 qershor, vetëm 11 minuta para se të fillojë mbledhja e Komisionit, morëm një e-mail nga asistentja e tij, ku thuhet: “Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, z. Enver Hoxhaj është i gatshëm për komisionin, kurdo që Komisionit i përshtatet. Datën e mbajtjes së takimit mund ta propozoni ju.

Pas këtij e-maili, ne kemi njoftuar zyrtarisht se Komisioni për Punë të Jashtme është i interesuar që takimi me ministrin Hoxhaj të mbahet të hënën, më 24 qershor, në orën 12:00. Asistentja e tij na është përgjigjur pozitivisht sot pasdite dhe kësisoj është konfirmuar që ministri Hoxhaj do të vijë të hënën, më 24 qershor në mbledhje të Komisionit për Punë të Jashtme” thuhet më tej në komunikatë.

Kurti shkruan sa komisioni është i interesuar që ky raportim i ministrit lidhur me aktivitetet e MPJ-së, me theks të veçantë të përqendrohet në “Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Parë Ndërkombëtare të Parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe të planit të zbatimit për këtë marrëveshje”, si dhe lidhur me dorëheqjen e “Shefit të Misionit të posaçëm të Kosovës në Beograd”, z. Lulzim Peci.

“Ne i falënderohemi ambasadorit Peci, i cili në një emision televiziv të mbrëmshëm publikisht shprehu gatishmërinë e tij që të vijë në Komision për të raportuar. Kjo sigurisht që është e drejtë dhe e rëndësishme, prandaj duhet dhe do të ndodhë në një mbledhje të ardhshme të Komisionit. Pra, ne gjithsesi do ta ftojmë edhe z. Lulzim Pecin për raportim, por paraprakisht ministri për Punë te Jashtme duhet të vijë për raportim në Komision të hënën (në kohën kur nuk kemi shpresa për përgjigje nga kryeministri Thaçi)”, thuhet në fund të komunikatës së deputetit Kurti dhe kreut të Komisionit për punë të jashtme të Kuvendit të Kosovës.


Etiketa:
Arivisti Company