Kurti pret komandantin e ri të KFOR-it, në fokus siguria dhe bashkëpunimi me NATO-n


E mërkurë, 14 Tetor 2026
Kurti pret komandantin e ri të KFOR-it, në fokus siguria dhe bashkëpunimi me NATO-n

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, admiralin George M. Wikoff, si dhe komandantin e ri të misionit të KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajorin Roberto Vergori.

Takimi u mbajt pas ceremonisë së ndërrimit të komandës së KFOR-it, e cila u zhvillua në shtabin e këtij misioni në Prishtinë.

Pas takimit, Kurti bëri të ditur se me dy zyrtarët e NATO-s ka diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon, zhvillimet aktuale, si dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut.

“Në takimin e tretë këtë vit me Admiralin Wikoff dhe të parin me Gjeneralmajor Vergori, biseduam për situatën e sigurisë në vend dhe rajon, zhvillimet dhe aktualitetin, sikurse për bashkëpunimin dhe bashkërendimin ndërmjet institucioneve të Republikës dhe NATO-s”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka shprehur mirënjohje për kontributin e NATO-s në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Jemi falënderues dhe mirënjohës për kontributin e Aleancës së Atlantikut të Veriut, anëtare e së cilës synojmë të bëhemi, për paqen e qëndrueshme dhe stabilitetin afatgjatë në Kosovë dhe mbarë Ballkanin Perëndimor”, ka deklaruar Kurti.

Kreu i Qeverisë ka theksuar gjithashtu rëndësinë e angazhimit të NATO-s për krijimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë.

Ndërkohë, gjeneralmajori Roberto Vergori mori sot komandën e misionit të KFOR-it nga gjenerali turk Özkan Ulutaş, në kuadër të ceremonisë zyrtare të ndërrimit të komandës.

Takimi me Kurtin vjen në ditën e marrjes së detyrës nga komandanti i ri i KFOR-it, misionit të NATO-s që kontribuon në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes në Kosovë.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit