E mërkurë, 23 Nëntor 2022
PRISHTINË – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkoi të mërkurën që plani i Francës dhe Gjermanisë, i përkrahur nga BE-ja, të vendoset në tryezë “një orë e më parë”.
Ky plan, sipas raportimeve, është një propozim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Nuk është koha për ambicie të vogla, është koha për hapa të mëdhenj”, tha Kurti në një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë.
Ai tha se arsyeja kryesore pse ka shkuar në Bruksel, të hënën, është nisja e diskutimit për marrëveshjen finale mbi planin franko-gjerman, dhe jo diskutimi për targat.
Sipas tij, marrëveshja ligjërisht e obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë, ishte pjesë e ftesës së BE-së, por që më pas “u braktis dhe u kalua vetëm te çështjet aktuale”.
Kurti tha se Kosova ishte gati që ta pezullonte fazën e dytë të vendimit për targa, e cila parasheh shqiptimin e gjobave për qytetarët që qarkullojnë me automjete me targa ilegale serbe, në mënyrë që të krijohet hapësirë për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë, “e paraparë nga BE-ja që të arrihej deri në mars të viti 2023”.
“Afatin mars 2023 nuk e kam shkruar unë, e ka shkruar Brukseli. Unë kam kërkuar të jetë shkurti 2023… Por, në fund ata hoqën dorë”, tha ai, duke përmendur shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell.
Madje, ai tha që në takimin që kishte me Borrellin në Forumin e Paqes në Paris, ai i kishte thënë që propozimi franko-gjerman “është propozim i BE-së, i mbështetur nga Franca dhe Gjermania”.
Etiketa: Aktuale, Albin Kurti