E martë, 18 Qershor 2013
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka vlerësuar se me anë të vazhdimit të negociatave në Bruksel dhe pranimit të kompromiseve, Qeveria e Kosovës është duke ia vështirësuar Gjermanisë përpjekjen që t’i vë kushte Serbisë, para pranimit në nisjes së negociatave për anëtarësim.
Kurti i ka ftuar edhe një herë deputetët e Kuvendit të Kosovës që të votojnë kundër ratifikimit të marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel. “Po duket se PDK-ja synon që edhe LDK-në dhe AAK-në t’i bëjë bashkëpjesëmarrëse në këtë proces të dëmshëm për vendin”, ka thënë Kurti, gjatë një konference për gazetarë.
Lideri i Vetëvendosjes ka mohuar se është duke i shërbyer pa vetëdije delegacionit të Kosovës në Bruksel, duke i dhënë shkas kryeministrit Thaçi që të arsyetohet para bashkësisë ndërkombëtare se ka një grup të fuqishëm i cili kundërshton procesin e bisedimeve.
Sipas Kurtit, kryeministri Thaçi vetëm tregon se është i gatshëm që të ushtrojë dhunë të pajustifikueshme ndaj qytetarëve dhe anëtarëve të një subjekti politik.
“Në çdo kohë janë të gatshëm që të përdorin policinë e Bajram Rexhepit për të ushtruar gjenocid urban, ndërkohë lejojnë që të Serbia të poshtërojë pjesëtarët e Policisë së Kosovës”, ka thënë Kurti.
Etiketa: Albin Kurti, Vetëvendosje