Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Kurti: Regjimi i vizave për Bosnjën, i padrejtë

Prizren Post | 14:03 - 01.02.2014

Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës vendosi regjim vizash për qytetarët e Bosnjë Hercegovinës. Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, deklaroi se kjo masë është vendosur pasi Bosnja ka vepruar njëjtë me qytetarët e Republikës së Kosovës. Por jo të gjithë pajtohen me këtë vendim.

Lideri i Vetëvendosjes, njëherit kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Albin Kurti, thekson se ky vendim është i padrejtë.

“I kanë vënë regjim vizash Bosnjës, ndërkohë që këtë gjest ia bëjnë Serbisë. Mendoj se me këtë sjellje Qeveria ka treguar dobësi, sepse ne e dijmë që Bosnja nuk po e njeh Kosovën për shkak të Serbisë dhe po i vë reciprocitetin Bosnjës dhe nuk po i vë Serbisë, kjo tregon mungesën e seriozitetit dhe dobësinë politike dhe diplomatike të shtetit tonë”, tha Kurti.

Ai theksoi se ata që e pësojnë më së shumti nga ky vendim i Qeverisë së Kosovës, janë qytetarët boshnjakë dhe kroatë që jetojnë në Republikën e Kosovës.

“Së pari reciprocitet, viza, mosnjohje Serbisë, e mandej të tjerëve. Zëvendësimi i këtillë i Serbisë me Bosnjën, është shumë i padrejtë dhe i dëmshëm dhe mos të harrojmë se më së shumti e pësojnë qytetarët boshnjakë e kroatë, se serbët janë një e treta e popullsisë. Bosnja nuk po na njeh për shkak të Republikës Serbe, e Republika Serbe është aty për shkak të Beogradit”, shtoi Albin Kurti.

Ngjashëm me Kurtin mendon edhe deputeti i PDK-së, Hydajet Hyseni. Ai thekson se, sikur Kosova të vendoste masa të plota reciprociteti me Serbinë, normalizimi ndërmjet dy vendeve do të ishte shumë më i lehtë.

“Reciprociteti i marrëdhënieve mes shteteve është një parim elementar të cilin nuk mund ta kontestojmë, eventualisht mund të diskutojmë pse nuk e zbatojmë atë edhe në raport me shtete tjera. Personalisht i mbahem qëndrimit se po të kishim një qëndrim të tillë do të dukej në fillim, sikurse po e vështërsojmë apo ngurtësojmë procesin, por unë jam i bindur se do të lehtësohej procesi i normalizimit të përgjithshëm”, tha Hyseni.

Njëri nga arsyetimet e përmendura jozyrtarisht nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme, se pse është vendosur regjim vizash për Bosnjën e jo për Serbinë, është se Serbia nuk aplikon regjim vizash për qytetarët e Republikës së Kosovës, andaj nuk mund të ndiqet masa e reciprocitetit me fqinjin tonë verior./rtk/


Etiketa:
Arivisti Company