Kush do ta fitojë “luftën e ftohtë” Riad-Abu Dhabi?


E mërkurë, 13 Maj 2026
Kush do ta fitojë “luftën e ftohtë” Riad-Abu Dhabi?

Realitete që kanë çuar dhe në devijime gjeopolitike të Shqipërisë: nga muslimani te hebreu

Në një rajon tashmë të tronditur nga lufta në Iran, së fundmi është shfaqur një vijë ndarëse gjithnjë e më e dukshme mes vendeve të Gjirit Persik.

Kjo përçarje është e rëndësishme sepse ndikon në daljen nga kriza – tashmë e vështirë për shkak të lëkundjeve mes paqes dhe luftës nga Uashingtoni dhe Teherani – por edhe sepse do ta komplikojë në mënyrë të rrezikshme situatën rajonale edhe pasi të ketë kaluar kriza aktuale.

Muajt e fundit ka pasur tensione të forta mes vendeve që kanë qenë objekt i kundërpërgjigjeve iraniane ndaj sulmeve amerikane dhe izraelite. Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe tashmë kanë dy vizione të kundërta dhe janë përfshirë në një lloj “lufte të ftohtë”.

Emiratet, objektivi kryesor i raketave dhe dronëve iranianë, kanë zgjedhur të forcojnë marrëdhëniet me Izraelin – fuqinë kryesore rajonale me të cilën lidhen përmes Marrëveshjeve të Abrahamit. Arabia Saudite, e cila nuk i ka nënshkruar këto marrëveshje, ka marrë distancë nga linja e ashpër e fqinjit të saj.

Shfaqja më e dukshme e këtij konflikti është vendimi i fundit i Emirateve për t’u larguar nga OPEC-u, organizata e vendeve eksportuese të naftës. Ky hap lidhet më shumë me marrëdhëniet mes Riadit dhe Abu Dhabit sesa me vetë çështjen e naftës.

Në fakt, tensioni kishte nisur edhe para luftës në Iran. Që në dhjetor 2025, dy vendet ishin pranë një përplasjeje për shkak të Jemenit, ku Arabia Saudite akuzonte Emiratet se mbështesnin rebelët separatistë.

Riadi i kishte dhënë Abu Dhabit 24 orë kohë për të tërhequr trupat e tij, dhe kjo ndodhi. Kjo situatë është edhe më befasuese po të kujtojmë se vetëm dhjetë vjet më parë të dy vendet luftonin së bashku në Jemen.

Një shenjë tjetër e këtyre divergjencave është një artikull i publikuar në fillim të javës nga princi Turki Al Faisal, ish-shef i shërbimeve sekrete saudite dhe ish-ambasador në Uashington, i cili përmend ekzistencën e një plani izraelit për ta tërhequr Arabinë Saudite në luftë kundër Iranit.

Sipas Al Faisal, kjo do ta zhyste rajonin në kaos, në favor të Izraelit. Qëndrimi i princit është krejtësisht i kundërt me atë të Emirateve dhe tregon ndryshimin që ka pësuar rajoni muajt e fundit. Emiratet dhe Arabia Saudite janë në konflikt pothuajse në çdo çështje rajonale.

Në Sudan mbështesin palë rivale në luftën civile që po shkatërron vendin. Në Somaliland — pjesa separatiste e Somalisë – Emiratet mbështesin izraelitët, të cilët sapo kanë njohur territorin përballë Jemenit, ndërsa Riadi mbështet qeverinë somaleze.

Në Liban, sauditët po ushtrojnë presion që qeveria të heqë dorë nga negociatat me Izraelin dhe të shmangë krijimin e marrëdhënieve me shtetin hebre, siç do të dëshironin amerikanët.

Për shkak të peshës së Emirateve dhe Arabisë Saudite, përplasja po shtrihet në të gjithë rajonin dhe edhe më gjerë. Për shembull Turqia dhe Pakistani, janë shumë të lidhur me Riadin dhe kundërshtojnë afrimin mes Emirateve, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.

Lufta e ftohtë mes Emirateve dhe Arabisë Saudite, është një nga pasojat e konfliktit aktual, i cili ka nxjerrë në pah kufijtë e mbrojtjes amerikane, dobësinë e vendeve arabe të Gjirit dhe fuqinë pothuajse absolute të Izraelit për të arritur objektivat e tij.

Në të ardhmen do të duhet të rindërtohet i gjithë ekuilibri rajonal. Shpërthimi i krizës që nisi në vitin 2023 nuk ka përfunduar ende së destabilizuari Lindjen e Mesme.

Po Shqipëria?

Dhe në këtë tërmet gjeopolitik, Shqipëria ka devijuar nga partneriteti i ngushtë me Turqinë, duke u rreshtuar me linjën Emirate – Izrael.

A është kjo zgjedhje e Ramës apo diktim amerikan për të marrë këtë pozicion, vështirë të thuhet me siguri se është njëra apo tjetra.

Por parë me një vështrim horizontal, kjo nuk është një gjë e mirë për Shqipërinë, vetëm nëse ka një pakt amerikano-turk për influenca fleksibël territoresh. /tesheshi


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit