Kush do ta pasojë Thaçin në PDK dhe në dy postet qeveritare?


E diel, 28 Shkurt 2016
Hashim Thaçi - President i Kosovës

Hashim Thaçi – President i Kosovës

Prishtinë – Zgjedhja e Hashim Thaçit president i Kosovës, lë të zbrazët postin e kreut të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), por edhe dy postet që ai mban në qeverinë aktuale, atë të zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Punëve të Jashtme.


Meqenëse Kushtetuta e Kosovës ia ndalon presidentit të vendit të ushtrojë çfarëdo aktiviteti tjetër publik, Thaçi deri në dhënien e betimit si president më 7 prill, duhet të japë dorëheqje nga të gjitha këto poste partiake dhe qeveritare.

Burime të “Rebulika24” brenda PDK-së kanë bërë me dije se pasardhës i Thaçit për ta drejtuar PDK-në do të jetë Kadri Veseli, i cili aktualisht është nënkryetar i parë i PDK-së dhe kryetar i Kuvendit të Kosovës.

“Veseli pozitën e të parit të PDK-së nuk do ta mbajë vetëm si ushtrues i detyrës deri në Kuvendin e ri zgjedhor të kësaj partie, por do të mbledhë Këshillin Drejtues të përfaqësuar me delegatë nga të gjitha degët e Kosovës për të legjitimuar në tërësi pozitën e kryetarit. Por këtë nuk do ta bëjë si i vetmi kandidat i mundshëm për kryetar, pasi ai kësaj gare dëshiron t’i hyje me procedura të rregullta e me kundërkandidat”, kanë thënë burime brenda PDK-së.

Këto burime të “Republika24” kanë treguar se sa u përket pozitave ekzekutive në Qeveri, tashmë çdo gjë është e qartë. Enver Hoxhaj do ta drejtojë ministrinë e Punëve të Jashtme, kurse Hajredin Kuçi do të jetë zëvendëskryeministër i parë, në të njëjtën kohë do të mbajë edhe postin e ministrit të Drejtësisë.

Hashim Thaçi është zgjedhur president i Kosovës më 26 shkurt.

Të fundit