Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Kush është Emine Erdogan, zonja e parë e Turqisë?

Prizren Post | 13:09 - 14.08.2014

Ajo zakonisht mban mantel të gjatë e syze dhe gjithmonë shami në kokë: Emine Erdogan, 59 vjeç, është gruaja e presidentit të ardhshëm të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, 60 vjeç.
Pak gjëra dihen për atë që do jetë Zonja e Parë e Turqisë. Shpesh shihet në vizitat shtetërore apo aktivitetet e tjera të të shoqit, por gjithmonë është në sfond.

Po kush është Emine Erdogan? Si shumë gra politikanësh, edhe ajo është e angazhuar në fushën e bamirësisë.

Pas aksidentit tragjik në minierën e Somas, në maj të vitit 2014, ajo vizitoi familjarët e viktimave. Në vitin 2009 ajo ftoi gratë e drejtuesve të qeverive në një samit Zonjash të Para në Stamboll, për të tërhequr vëmendjen për situatën humanitare në Rripin e Gazës. Ajo lindi në Stamboll në vitin 1955 si fëmija i pestë i Cemal dhe Hayriye Guelbaran.

Duket se ajo nuk ka mësuar ndonjë profesion. Dihet se ka frekuentuar një shkollë arti, por nuk dihet se për çfarë ka mbaruar saktësisht.

Në moshën 22 vjeçare, Emineja e re njohu burrin e saj të ardhshëm në një aktivitet politik.

Tayyip Erdogan ishte në atë kohë kryetar i organizatës së të rinjve të Partisë për Shpëtimin Kombëtar, që u ndalua më vonë.

Aktivistja myslimane për të drejtat e grave, Sule Yueksel Senler, një mikeshë e Emine Erdogan, tregon se Erdogan-it i kishte dalë më parë në ëndërr mikesha e saj.

I magjepsur nga bukuria e Emines, Recep Tayyip Erdogan u përpoq për muaj të tërë me mamanë për të marrë pëlqimin për martesë.

Senler thotë se mamaja e Erdogan ishte e shqetësuar se gruaja e përzgjedhur prej tij nuk ishte e mbuluar në gjithë trupin, por mbante vetëm një shami në kokë.

Ata u martuan në vitin 1978. Çifti ka dy djem, Ahmet Burak dhe Necmeddin Bilal, dhe dy vajza, Esra dhe Suemeyee. Vajzat studiojnë në SHBA.

Shaminë e kokës ajo e mban që nga rinia, por në fillim jo me dëshirë. Për shkak se vëllezërit e kishin detyruar që të mbante shami, ajo kishte menduar edhe vetëvrasjen. Kështu i pati treguar Emine Erdogan një gazetareje turke. Ajo ishte 15 vjeç në atë kohë.

Por edhe pa skandale nuk është Emine Erdogan. Në vitin 2005 pati vëmendje të konsiderueshme në shtypin turk, pas pranimit të një dhurate të shtrenjtë.

Një biznesmen turk i dhuroi asaj gjatë hapjes së një qendre tregtare në Moskë një gjerdan me një vlerë prej 30 mijë dollarësh.

Për shkak se ky fakt dominoi vizitën e Erdogan në Rusi, çifti e ktheu mbrapsht zinxhirin e shtrenjtë. /BILD/gazetatema.net/


Etiketa:
Arivisti Company