Kush ishte Ekrem Rexha – Komandant Drini?


E enjte, 24 Janar 2019

Ekrem Rexha i njohur ndryshe si Komandant Drini është luftëtari dhe komandanti i UÇK-së, ai që i shpëtoi burgut dhe plumbit të serbit para dhe gjatë luftës, por që nuk i shpëtoi dot plumbit të krimit të pasluftës.

Komandant Drini u lind në fshatin Lubizhdë të Prizrenit. Prindërit Rexhaj ishin të dhënë pas « zejes » së uniformave, prandaj në këtë familje u shkolluan pothuaj të gjithë në këtë drejtim. Por, Ekremi ishte më i dalluari nga ata. Shkollën fillore e kreu në Prizren e më pastaj i kreu të gjitha shkollat ushtarake dhe shkallën e tretë të shkencave për politikë ndërkombëtare. Për shkak të konflikteve dhe krizës së njohur, ai në fillim të viteve ’90 u demobilizua nga armata e ish-Jugosllavosë. Që pas krismave të para për liri, Ekremi u angazhua në radhët e UÇK-së së pari si epror në Vërri, e më vonë si komandant i Zonës Operative të Pashtrikut, zonës më të madhe në Kosovë.

Gjatë kësaj kohe ishte ndër komandantët më të rrallë të karrierës, që kishte ruajtur gjakftohtësinë dhe stabilitetin e një eprori të matur, të urtë dhe dinamik në ide dhe përpilime planesh luftarake. Në Prizren e quajnë ndryshe çlirues, sepse ai në bashkëpunim me komanantin e parë të Brigadës Shumëkombëshe të Jugut, gjeneralin Fritz Fon Korff, arriti që qyteti buzë Lumbardhit të jetë qytet i lirisë. Fliste shtatë gjihë botërore, e më së miri komunikonte në gjuhën angleze.

Pas luftës u emrua drejtor i Drejtorisë për Ambient dhe Siguri pranë bordit administrativ të Prizrenit. Ishte një këshilltar i denjë i ndërkombëtarëve, themeloi Asociacionin e Veteranëve të UÇK-së. Ishte në përfundim të planit për të shkuar për të doktoruar në Universitetin Shtetëror të Kanadasë dhe pikërisht kur u përgatit për këtë rrugë, në orën 8 e 45 minuta të 8 majit 2000, shtatë plumba ia morën jetën e bashkë me të u ndërprenë qindra projekte për zhvillimin e komunës së Prizrenit dhe të avancimit të çështjes kombëtare. La pas djalin me emrin që mbante në luftë Drini, kurse bashkëshortja Hajrije, katër muaj më vonë, lindi edhe djalin tjetër, i cili e përtëriu emrin e babit, Ekrem.

Drini, duke ndjerë thirrjen e atdheut dhe duke parë zhvillimet e fillimvitit 1998, në shkurt mësynë Sarajevën për të rënë në kontakt me oficerë të tjerë shqiptarë dhe për ta kordinuar organizimin e luftës çlirimtare. Pas arrestimit të tij në Zvornik, me preteks të armëmbajtjes pa leje, ai dënohet nga Gjykata e Uzhicës me dy vjet burg, por me të drejtë mbrojtjeje në liri. Kështu, Drini duke e dashur atdheun më shumë se jetën, kthehet në Prizren dhe vëhet në shërbim të çlirimit të atdheut. Ai nuk ka pritur urdhëra qeverish për t’u vënë në shërbim të luftës çlirimtare! Ndoshta, është kjo njëra nga simptomet që më së tepërmi ka penguar qarqe të njohura, që luftën e UÇK-së e dëshiruan të quhet “dorë e zgjatur e Serbisë dhe luftë e disa grupeve, barinjsh e të pashkollësh!”

Fillimisht, pasi bie në kontakt me Njësitin e Kabashit, kyçet në radhët e UÇK-së në fillimmajin e vitit 1998. Ishin ngjarjet e Likoshanit e Epopeja e Jasharajve, që Drinin e sinjalizoi për domosdonë e angazhimit dhe kontributit të tij. Ai më shumë e donte lirinë e Kosovës, se “mrizet” e perëndimit, këtë e dëshmoi me punën e tij të madhe, deri në vdekje. Në qershor, emërohet Komandant në Shtabin e Vërrinit dhe arrinë të tubojë rreth vetit shumë atdhetarë. Ai ishte përherë i respektuar dhe i dashur për bashkëluftëtarët e tij. Duke parë nevojën e madhe të furnizimit të formacioneve të UÇK-së me armatim, ai me një kontigjent luftëtarësh shkon në Shqipëri, më 7 shtator 1998. Edhe atje nuk qëndron duarkryq. Atje angazhohet në stërvitjen e luftëtarëve të rinj, të cilët këtu kishin ardhë për t’u armatos, e për të kapërcyer Bjeshkët e Nemuna e për t’ju bashkangjitur luftës çlirimtare.

Më 14 dhjetor 1998, Ekrem Rexha nga SHP i UÇK-së emërohet Komandant i Zonës Operative të Pashtrikut. Gjatë qëndrimit të tij në fshatrat e komunës së Therandës dhe drejtimit të luftës nga ana e tij, atje ai kishte krijuar raporte të shëndosha në mes popullates dhe luftëtarëve të UÇK-së, dhe kështu ai kishte admirimin e gjithë banorëve dhe luftëtarëve të kësaj ane, që edhe sot atje kujtohet me pijetet. Drini ia rriti admirimin edhe UÇK-së me sjelljet e veta.

Duke parë nevojën e përgatitjes së stafit komandues, për të gjitha zonat e luftës dhe duke parë përgatitjen e shkëlqyeshme në lëminë e artit ushtarak, komandant Drini, me urdhërin e SHP të UÇK-së, emërohet Drejtor i Shkollës Ushtarake dhe Doktrinës së UÇK-së. Në këtë dëtyrë të lartë pranë SHP të UÇK-së ka qëndruar deri në përfundimin e luftës, kur ai duket se nuk ishte i kënaqur me kushtet e marrëveshjes për transformimin e UÇK-së dhe kishte vendosur që t’i kthehet jetës civile.

Etiketa: , , ,
Të fundit