Kush janë “partnerët alternativë” të Escobarit për Asociacionin?


E enjte, 15 Dhjetor 2022

PRISHTINË – Deklarata e të dërguarit të posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar se, në rast se Qeveria e Kosovës nuk do që të jetë pjesë e procesit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, atëherë për këtë do të diskutohet me “partnerë alternativë”, është kërcënim për Qeverinë e Kosovës, thotë Arton Demhasaj, drejtor i organizatës joqeveritare “Çohu”.

Opozita e Kosovës thotë se po të ishte në pushtet, do të bashkëpunonte me Shtetet e Bashkuara.

Këmbëngulja e SHBA-së për formimin e Asociacionit, sipas tij, është e drejtë për shkak se Kosova duhet t’i kryejë obligimet ndërkombëtare që ka marrë përsipër.

Escobar, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 13 dhjetor, ka deklaruar se Asociacioni do të formohet, se SHBA-ja do të jetë pjesë e procesit, dhe se aty duhet të përfshihet Qeveria e Kosovës.

Në të kundërtën, siç ka thënë ai, “ne mund ta zhvillojmë atë diskutim me partnerë alternativë, me shoqërinë civile, me grupet e të rinjve, me komunitetin e biznesit, me të gjithë që do të donin të shihnin Serbinë dhe Kosovën duke dalë nga ky cikël i jostabilitetit”.

Në këtë pikë, siç thotë Arton Demhasaj, deklarata e Escobarit, që i referohet një diskutimi të mundshëm “me partnerët alternativë”, është mesazh për Qeverinë e Kosovës.

“Sa i përket ‘alternativës’, mendoj që nuk bëhet fjalë që (Asociacioni) të themelohet, ose të fillohen procedurat e themelimit të Asociacionit me organizata joqeveritare apo me komunitet të biznesit. Por, unë mendoj që ky është një lloj kërcënimi drejtuar Qeverisë që, ‘në rast se ju nuk lëvizni tutje me obligimet që i keni, atëherë ne mund të kërkojmë partnerë tjerë alternativë’. Unë mendoj që , ‘partnerë alternativë’ janë partitë tjera, që mund të vijnë në pushtet dhe pastaj me to të fillohet të bashkëpunohet për t’i kryer obligimet që Kosova i ka marrë dhe i ka para vetes”, thotë Demhasaj.

Qeveria e Kosovës, në krye të së cilës është Albin Kurti, në vazhdimësi ka kundërshtuar formimin e Asociacionit, duke thënë se nuk mund të formojnë asociacion një-etnik.

Marrëveshja për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, është arritur në vitin 2013, në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi në Bruksel.

Më pas, më 2015, është arritur marrëveshja mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se disa pika të kësaj marrëveshjeje nuk janë në harmoni me frymën kushtetuese dhe se ato duhet të harmonizohen.

Etiketa: , , ,
Të fundit