Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Kush nuk i do muslimanët në Europë nuk mund të kërkojë të drejta për kristianët në pjesë të tjera të botës

Prizren Post | 10:37 - 23.04.2016

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Christian Wulff, ish-presidenti i Gjermanisë në fillim të këtij dhjetëvjeçari, ka folur dje kundër shtimit të qëndrimit antiislam në vendin e tij. Fjala në Shoqatën e Korrespondentëve të Huaj ka qenë krejt e ndryshme nga tërë zhargoni mbizotërues posaçërisht gjatë periudhës së fundit.

Ai e ka kritikuar ashpër projektprogramin e partisë Alternativa për Gjermaninë, AfD, që ka paralajmëruar për islamizimin e Gjermanisë dhe ka kërkuar ndalimin e simboleve islame.

Në këndvështrimin e folësit, kushtetuta gjermane i garanton liritë fetare për të gjithë, duke përfshirë të drejtën e muslimanëve për të mësuar e praktikuar lirisht fenë e tyre, si dhe për të ndërtuar xhamitë e tyre.

“Kushdo që thotë se nuk e dua Islamin në Gjermani, nuk e dua Islamin në Europë, ai apo ajo është kundër kushtetutës sonë,” mësohet të ketë thënë Wulff, sipas raportimit të agjencisë turke të lajmeve Anadolu Ajansı.

“Kur tre milionë muslimanë jetojnë në vendin tonë, ata i përkasin bashkë me fenë e tyre, Islamin, vendit tonë,” ka vijuar ish-presidenti gjerman.

Vënia në pah e kontributit të muslimanëve dhe emigrantëve në shoqërinë gjermane ka qenë gjithashtu pjesë e fjalës së Christian Wulff-it. “Ne kemi shumë emigrantë, e po ashtu shumë muslimanë, midis intelektualëve tanë, në fushat e medias dhe të kulturës, që po e përfaqësojnë vendin tonë.”

Duke vazhduar në të njëjtën logjikë, e duke patur parasysh një frymë antiislame në rritje në Gjermani e në Europë, ai ka shtuar, “Kush thotë se nuk dua asnjë musliman në Europë, ai apo ajo nuk mund të bëjë fushatë po ashtu për të drejtat e kristianëve në pjesë të tjera të botës, e nuk duhet të habitet nëse të tjerët atje thonë se nuk i duam këtu kristianët apo hebrenjtë.”

Aktiviteti ku ish-presidenti gjerman do t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve është zhvilluar dje në Berlin.


Etiketa:
Arivisti Company