Kush po e falimenton OKB-në?


E mërkurë, 3 Qershor 2026
Kush po e falimenton OKB-në?

Miliarda dollarë të papaguara nga SHBA dhe Kina, rrezikohet mosfunksionimi që nga vera e këtij viti

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), po kalon një nga periudhat më të vështira financiare në historinë e saj të fundit. Sipas një raporti të publikuar në fillim të majit, organizata po përballet me mungesa serioze fondesh për shkak të vonesave dhe mospagesave nga disa prej kontribuuesve më të mëdhenj, veçanërisht Shtetet e Bashkuara dhe Kina.

Nëse detyrimet financiare nuk shlyhen në kohë, OKB-ja paralajmëron se mund të mos jetë më në gjendje të përmbushë detyrimet e saj ligjore duke filluar nga muaji gusht, duke rrezikuar një “kolaps financiar”.

Shtetet e Bashkuara mbeten debitori më i madh i organizatës. Aktualisht, Uashingtoni i detyrohet OKB-së rreth 4.3 miliardë dollarë. Nga kjo shumë, afërsisht 2 miliardë dollarë lidhen me buxhetin e zakonshëm të organizatës, që financohet nga kontributet e detyrueshme të vendeve anëtare sipas peshës së ekonomive të tyre.

Përveç kësaj, SHBA-ja ka ende të papaguara rreth 2.2 miliardë dollarë për misionet paqeruajtëse dhe 44 milionë dollarë për tribunale ndërkombëtare. Administrata e presidentit Donald Trump ka mbajtur prej kohësh një qëndrim kritik ndaj organizatave ndërkombëtare dhe veçanërisht ndaj agjencive të OKB-së.

Trump ka argumentuar vazhdimisht se shumë prej aktiviteteve të tyre nuk përputhen me interesat amerikane dhe përfaqësojnë një barrë të panevojshme financiare për taksapaguesit. Në fillim të këtij viti, ai urdhëroi tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga 66 organizata ndërkombëtare, pothuajse gjysma e të cilave kishin lidhje me sistemin e OKB-së.

Megjithëse përfaqësuesit amerikanë kanë deklaruar se pagesat do të kryhen, deri më tani nuk është bërë e ditur se kur dhe në çfarë mase do të shlyhen detyrimet. SHBA ka premtuar gjithashtu rreth 3.8 miliardë dollarë për programe humanitare, por këto fonde nuk mund të përdoren për administrimin e organizatës apo për operacionet paqeruajtëse.

Pas SHBA-së, Kina renditet si vendi i dytë me detyrimet më të mëdha financiare ndaj OKB-së. Sipas raportit, Pekini ka vonuar pagesa që arrijnë në më shumë se 1.3 miliardë dollarë. Nga këto, 429 milionë dollarë i përkasin kontributeve të zakonshme, 870 milionë misioneve paqeruajtëse dhe rreth 9 milionë gjykatave ndërkombëtare.

Ndryshe nga administrata amerikane, autoritetet kineze nuk kanë shfaqur armiqësi ndaj OKB-së, por vitet e fundit kanë shtyrë gjithnjë e më shumë afatet e pagesave.

Ambasadori kinez në OKB, Fu Cong, ka deklaruar se Kina do të përmbushë detyrimet e saj, duke theksuar se për shkak të mospagesave amerikane, Pekini është bërë praktikisht kontribuuesi më i madh aktiv i organizatës.

Së bashku, SHBA dhe Kina mbulojnë rreth 42 për qind të buxhetit të OKB-së. Pesha e Kinës është rritur ndjeshëm gjatë dekadës së fundit, si rezultat i zgjerimit të ekonomisë së saj, ndërsa Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbeten financuesi më i madh teorik i organizatës.

Pasojat e mungesës së fondeve tashmë janë të dukshme. Buxheti i OKB-së për vitin 2026 është reduktuar në 3.45 miliardë dollarë, rreth 7 për qind më pak se një vit më parë. Për të përballuar situatën, organizata ka shkurtuar rreth 3 mijë vende pune që nga viti 2025, kryesisht pozicione të mbajtura nga punonjës të rinj me kontrata më pak të mbrojtura.

Masat e kursimit janë shtrirë edhe në selitë kryesore të organizatës. Në zyrat e Gjenevës janë kufizuar përdorimi i ngrohjes dhe funksionimi i shkallëve lëvizëse, ndërsa në selinë e Nju Jorkut janë shtyrë disa punime mirëmbajtjeje në një ndërtesë që ka mbi shtatë dekada në përdorim.

Vështirësitë financiare kanë ndikuar edhe në operacionet ndërkombëtare. OKB-ja ka përshpejtuar tërheqjen e forcave paqeruajtëse nga Republika Demokratike e Kongos dhe ka vonuar pagesat për vendet që kontribuojnë me trupa në misionet e saj, si Nepali dhe Bangladeshi.

Situata bëhet edhe më paradoksale nga një rregullore e brendshme që detyron OKB-në t’u kthejë shteteve anëtare fondet e papërdorura. Kjo vlen edhe kur fondet nuk janë shpenzuar për shkak të mungesës së burimeve financiare të shkaktuara nga vetë vonesat në pagesa.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, e ka cilësuar këtë situatë si “kafkiane”, duke nënvizuar absurditetin e një sistemi që përballet me mungesë fondesh ndërkohë që është i detyruar të kthejë paratë e pashpenzuara. tesheshi


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit