E martë, 23 Dhjetor 2014
Prizren – Të hënën në Gjykatën Themelore të Prizrenit vazhdoi gjykimi kundër ish-deputetit të PDK-së, Nait Hasani.
Dëshmitarja e propozuar nga prokuroria, Lumnije Aliu, nuk ishte e pranishme në gjykatore, ndërsa gjykata nuk kishte prova nëse ftesa i ishte dërguar asaj në mënyrë të rregullt, pasi nuk kishte pranuar fletëkthesën nga posta.
Aliu është zyrtare në Divizionin për Deklarimin e Pasurisë të Agjencisë Kundër Korrupsion, e cila inicioi kallëzimin penal kundër Hasanit.
Në mungesë të dëshmitares, prokurori Zenel Kodra, me një shqipe të përgjysmuar, propozoi që seanca gjyqësore të mos mbahej.
“Unë propozoj me shty seancën e shqyrtimit kryesor për sot, edhe me e thirrë opet dëshmitarin edhe njëherë edhe masanej me vazhdu me fjalën hyrëse, procedurën e provave”, tha Kodra.
Kundër shtyrjes u deklarua i akuzuari Hasani.
“Për mua është e paarsyeshme shtyrja, unë kam qenë i gatshëm që edhe në seancën e parë, të dytën dhe të tretën të vij me kohë këtu, edhe pse jam palë e akuzuar, ndërsa pala akuzuese nuk është e gatshme të përballet me sfidat e veta”, tha Hasani.
Hasani tregoi se Agjencia Kundër Korrupsion ka pasur dijeni për seancën, pasi tha se personalisht ishte në këtë agjenci që të kërkojë dokumentacionin për të qenë i përgatitur për gjykim.
Ish-deputeti i propozoi prokurorit që të tërhiqej nga aktakuza për mungesë të dëshmitarëve.
“Prokurori le të heqë dorë nga akuza, përderisa nuk e ka dëshmitarin, nuk është i gatshëm të përballet, atëherë prokurori është i detyrum të heqi dorë nga akuza, e jo neve, që gati një vit po bëhet na mbajnë në këtë pjesë”, u ankua Hasani.
Megjithatë, pas diskutimeve me gjyqtarët, Hasani u pajtua që seanca të shtyhet, por e cilësoi politik kallëzimin penal që kundër tij e ngriti Agjencia Kundër Korrupsion.
“Zakonisht kjo është çështje politike e tyre dhe kjo politikë nuk ka zgjidhë asnjëherë asnjë problem, po megjithatë po e shtyjmë, nuk është problem për mu, unë jam i gatshëm t’u përgjigjem sfidave të gjykatës dhe agjencisë”, tha Hasani.
Sipas aktakuzës së ngritur në bazë të kallëzimit penal nga Agjencia Kundër Korrupsion, thuhet se Hasani nuk i ka paraqitur saktë të hyrat vjetore të kërkuara në deklaratë nga 1 janari 2012 deri më 31 dhjetor 2012.
“Ekziston mospërputhje në mes të hyrave vjetore të deklaruara në formularin për deklarimin e pasurisë, si dhe raportit nga të hyrat vjetore të siguruara nga Kuvendi i Kosovës”, thuhet në aktakuzë.
Në aktakuzë dallimi mes të hyrave që deklaroi Hasani dhe atyre që u bënë të ditura nga Kuvendi, është 5 mijë e 285 euro e 4 centë.
“Është gjetur mospërputhje në mes të hyrave prej 21 mijë e 200 euro, të cilat i ka deklaruar Hasani në formularin për deklarimin e pasurisë për vitin 2012, si dhe raportit nga të hyrat vjetore që janë 26 mijë e 485,04 euro, të cilat janë siguruar nga Kuvendi i Kosovës”, shpjegon aktakuza.
Seanca e radhës, ku sërish do t’i përsëritet ftesa dëshmitares nga Agjencia Kundër Korrupsion, do të mbahet më 9 janar 2014. /kallxo.com/