E martë, 13 Dhjetor 2016
Prizren – Kuvendi i Prizrenit të enjten do të dalë me një deklaratë rreth kërkesës për rindërtimin e xhamisë në Kala.
Pas mbledhjes së sotme të KPF-së, në të cilën morri pjesë edhe kryetari Ramadan Muja, para mediave ka folur kryesuesi i Kuvendit, Kujtim Gashi, i cili edhe këtë takim e vlerësoi si tejet konstruktiv nga të gjithë të pranishmit.
Ai tha se në këtë takim është vendosur që Kuvendit t’i dërgohet si rekomandim kërkesa e Iniciativës Qytetare për rindërtimin e xhamisë në Kalanë e Prizrenit, pas dorëzimit të një peticioni nga kjo Iniciativë që i është bërë institucioneve dhe përfaqësuesve më të lartë komunal të Prizrenit.
Sipas asaj që u diskutua në këtë mbledhje, pritet që Kuvendi i Prizrenit të dalë me një deklaratë të përbashkët të partive politike, ku do të kërkohet nga instancat më të larta që të shqyrtojnë kërkesën për rindërtimin e xhamisë në Kalanë e Prizrenit dhe të miratojnë atë
. Përveç kësaj pike, në seancën e fundit për vitin 2016 të Kuvendit të Prizrenit do të shqyrtohen edhe 10 pika të tjera, që kryesisht kanë të bëjnë rreth disa rregulloreve si dhe dhënien në shfrytëzim të disa pronave komunale , njoftoi kryesuesi Gashi. /TV Prizreni/