E enjte, 9 Korrik 2015
Tiranë – Kuvendi i Shqipërisë sot ka mbajtur një minutë heshtje në kujtim të viktimave të masakrës së Srebrenicës.
Kuvendi i Shqipërisë sot ka mbajtur një minutë heshtje në kujtim të viktimave të masakrës së Srebrenicës, ku 20 vite më parë humbën jetën 8 mijë njerëz të pafajshëm si pasojë e sulmeve serbe ndaj popullsisë myslimane të Bosnjës.
Ka qenë ish kryeministri Sali Berisha që ka kërkuar në shenjë solidariteti të mbahet një minutë heshtje, ndërsa ka përmendur edhe gjenocide të ngjashme nëpër të cilat ka kaluar edhe kombi shqiptar, si në Kosovë dhe në Shqipëri.
“Gjenocidi serb i Serbrenicës është ngjarja më e turpshme, më tragjike në historinë e pas Luftës së Dytë Botërore. Sot është një ditë solidariteti me popullin e Bosnjës, sot është një ditë kur duhet të dënojmë me ashpërsinë më të madhe barbarinë e Srebrenicës; të dënojmë qëndrimin e Valdimir Putinit, këtij Hitleri të ri të kohës së sotme që bllokoi në OKB rezolutën për të quajtur gjenocid masakrën më të madhe të pas Luftës së Dytë Botërore, dhe mendoi se kështu i shpëtoi nderin Serbisë apo Rusisë së vogël në Ballkan. Zonja dhe zotërinj për të nderuar viktimat e Srebrenicës unë ju ftoj ju të mbajmë një minutë heshtje për ta; kemi nderuar shpirtin e tyre të pafajshëm që ranë viktimë e një barbarie vetëm 20 vite më parë”, tha Berisha.
Berisha kujtoi këtu jo vetëm gjenocidin serb ndaj shqiptarëve të Kosovës por edhe ‘gjenocidin’ që shkaktoi regjimi diktatorial i Enver Hoxhës, që internoi dhe pushkatoi familje të tëra shqiptarësh.
Berisha tha se sot është një ditë solidariteti për popullin e Bosnjës, dhe për popullin shqiptar./rtk/
Etiketa: Kuvendi i Shqipërisë, srebrenica