Kuvendi nis me 1 minutë heshtje për 5 të rinjtë e Shkodrës


E enjte, 24 Tetor 2013

Kuvendi i Shqipërisë e ka nisur seancën e sotme plenare me 1 minutë heshtje në nder të 5 të rinjve që humbën jetën në aksidentin tragjik në Shkodër. “I shprehim ngushëllimet familjarëve të 5 të rinjve që humbën jetën në mënyrë tragjike dhe të parakohshme si pasojë e një aksidenti”, theksoi Meta.

Sot Kuvendi pritet të miratojë sot aktin normativ për buxhetin e shtetit.

Ndryshimet në buxhet, që janë planifikuar me urgjencë nga qeveria Rama, pritet të shkaktojnë debate të ashpra mes palëve në seancën e sotme plenare.

Opozita e konsideron aktin normativ të qeverisë për ndryshimin e buxhetit si të paligjshëm dhe rrezik për stabilitetin financiar të vendit.

Kreu i opozitës Lulzim Basha u ka kërkuar ligjvënësve të djathtë që në seancën e sotme plenare t’u dëshmojnë qytetareve rrezikun që i kanoset mirëqenies së tyre nga Akti Normativ antiligjor i qeverisë.

Ndërsa ministri i financave Shkëlqim Cani ka theksuar më herët se Akti Normativ shkurton me rreth 38.8 miliardë leke buxhetin fillestar të këtij viti duke u mbyllur me 321 miliardë lekë ose 23.8% (23.4) të PPB.

Sipas tij, rishikimi i ligjit të buxhetit 2013 është mbështetur në analizën e performancës së të ardhurave dhe shpenzimeve për 8 mujorin e vitit 2013, si dhe për t’ju përgjigjur risqeve të planit të buxheti 2013.

Rendi i ditës

1. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe ARTIGIANCASSA S.p.a. “Për financimin e programit për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të ullinjve”.

2. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe ARTIGIANCASSA S.p.a. për programin “Fuqizimi i Agjencisë së Zhvillimit Rural dhe të Agrikulturës për disbursimin e granteve në agrikulturë”.

3. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes financiare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe ARTIGIANCASSA S.p.a. “Për projektin pilot për krijimin dhe testimin e sigurimeve të buta, me qëllim mbulimin e rreziqeve në agrikulturë”.

4. Akt Normativ nr. 6, datë 4.10.2013 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 119/2012 “Për buxhetin e vitit 2013”.

Akti Normativ, Kuvendi seancë maratonë

Luis Tanushi

-Seanca e sotme plenare pritet që t’i ngjajë një maratone të vërtetë. Burime nga Kuvendi bëjnë të ditur se janë regjistruar për të folur për Aktin Normativ të qeverisë për ndryshimet në buxhetin e vitit 2013, 58 emra deputetësh. Nga PD bëjnë të ditur se janë regjistruar një numër tepër i lartë i deputetëve të këtij grupi, të cilët do të shprehin qëndrimin kundër ndryshimeve në buxhet. Deputetët e djathtë do të qëndrojnë deri në fund të seancës duke marrë pjesë edhe në votimin e ligjeve. Nga ana e qeverisë pritet që të flasë kryeministri Rama, ministri i Financave Cani dhe anëtarët e Komisionit të Ekonomisë. Miratimi i aktit normativ për ndryshimet në buxhet kërkon shumicë të thjeshtë, çka e bën tepër të lehtë për mazhorancën e re që ta kalojë këtë provë. Vetëm një javë më parë, e majta tregoi se kishte 84 vota, ndërsa e djathta u përça lidhur me qëndrimin që do të mbanin në lidhje për bojkotimin e parlamentit. Demokratët shprehen kundër ndryshimit të Buxhetit, duke deklaruar se mazhoranca e re do të rrisë borxhin. Gjatë një takimi që kryetari i PD-së, Lulzim Basha zhvilloi dje me përfaqësuesit e Bankës Botërore, u shprehu shqetësime lidhur me zhvillimet në fushën e administrimit fiskal. “Shqetësimet kishin të bënin me fusha të tilla si: Ligji i nëpunësit civil, akti normativ për ndryshimet në ligjin e buxhetit, anulimet e koncesioneve, prognozat aspak optimiste lidhur me zhvillimet ekonomike në vend si dhe pasigurinë që po zë gjithmonë e më shumë vend në planet e konsumatorëve dhe biznesplanet e investitorëve”, ,thuhet në njoftimin e PD-së. Basha informoi bashkëbiseduesit lidhur me detaje të aktit normativ për ndryshimet në buxhet si dhe me ato që i cilëson si shkelje të dukshme ligjore që e bashkëshoqërojnë këtë akt. Sipas Bashës, ky akt normativ sanksionon marrjen e huave të reja, jo më për investime publike siç e kërkon ligji, por tashmë edhe për shpenzime administrative dhe operacionale.

Akti për buxhetin

Rishikimi i buxhetit të shtetit, sipas qeverisë socialiste, është diktuar nga mungesa e të ardhurave në buxhet, të cilat kanë detyruar qeverinë, jo vetëm të rrisë borxhin, por edhe të shkurtojë fondet për disa institucione. Kuvendi i Shqipërisë është një prej institucioneve që do të përballet me shkurtimin e fondeve. Ndërkohë financimet nga buxheti i shtetit do të rriten për Kryeministrinë dhe Ministrinë e Transporteve. Fondet do të shkurtohen në muajt e fundit vitit edhe për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Brendshme. Institucioni i Presidentit dhe Shërbimi Informativ Kombëtar do të këtë njëjtën masë fondesh që është parashikuar në fillim të vitit. Ndërkohë, për Ministrinë e Mbrojtjes buxheti është shkurtuar, po kështu edhe për Ministrinë e Kulturës. Sipas buxhetit të rishikuar me shkurtim fondesh do të përballen edhe prokurimet dhe institucionet e tjera publike. Ministria e Financave vendosi përdorimin e fondeve të kursyera nga shërbimet ndaj borxhit në vlerën 6.2 miliardë lekë, si dhe reduktimin prej rreth 712 milionë lekë të shpenzimeve operative, rialokimin e fondeve nga projekte me performancë të ulët në projekte me performancë më të lartë, si për projektet me financim të brendshëm dhe ato me financim të huaj. Ndërkohë në buxhetin e rishikuar sigurohet financimi për ministritë e reja të krijuara dhe zhvendosjen e programeve të shpenzimeve, në përputhje me përbërjen e Qeverisë së re.

Rendi i ditës

1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare datë 17.10.2013.

2. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe ARTIGIANCASSA S.p.a. “Për financimin e programit për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të ullinjve”.(shumicë e thjeshtë)

3. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe ARTIGIANCASSA S.p.a. për programin “Fuqizimi i Agjencisë së Zhvillimit Rural dhe të Agrikulturës për disbursimin e granteve në agrikulturë”.(shumicë e thjeshtë)

4. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes financiare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe ARTIGIANCASSA S.p.a. “Për projektin pilot për krijimin dhe testimin e sigurimeve të buta, me qëllim mbulimin e rreziqeve në agrikulturë”. ”.(shumicë e thjeshtë)

5. Akt Normativ nr. 6, datë 4.10.2013 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 119/2012 “Për buxhetin e vitit 2013”.(shumicë e thjeshtë)

6. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës. shekulli

Etiketa: ,
Të fundit