Ky është bilanci negativ i Kosovës me CEFTA-n


E martë, 24 Maj 2016

Cefta

Marrëveshja për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore, e njohur me shkurtesën CEFTA, përveç efekteve pozitive që i ka sjellë Kosovës në aspektin politik, rezultatet kanë qenë të mangëta e në shumë raste edhe të dëmshme për ekonominë, konsiderojnë zyrtarë qeveritarë dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit.

Marrëveshja për Tregti të Lirë, CEFTA, është një projekt ndërkombëtar i krijuar nga ana e Bashkimit Evropian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë mekanizëm, Republika e Kosovës është anëtarësuar në vitin 2007, kurse vendet tjera anëtare të CEFTA-s janë Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Moldavia dhe Serbia.

Por, gjatë këtyre viteve jo rrallë herë ka pasur shkelje të kësaj marrëveshjeje nga shtete të ndryshe të rajonit, sidomos nga Serbia, Maqedonia, por edhe nga Shqipëria. Me këto shtete, në disa raste, qeveria e Kosovës patë marrë edhe masa reciprociteti.

Kjo marrëveshje, madje shumë herë, është thënë se ka vështirësuar aktivitetin biznesor të prodhuesve kosovarë. Duke marrë parasysh gjendjen e rëndë të këtij sektori, prodhimet “Made in Kosova” vështirë kanë depërtuar në tregun rajonal, kurse prodhimet e huaja pothuajse kanë mbuluar tregun vendor.

Edhe Sytrime Dervisholli, drejtoreshë në Departamentin për Tregti, në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, për Radion Evropa e Lirë tregon se për industrinë prodhuese kjo marrëveshje nuk ka pasur rezultate.

“Aktualisht, nga viti në vit, është vërejtur se institucionet e Kosovës kanë përfituar nga kjo marrëveshje, në kuptimin e themelimit të strukturave raportuese, që në një mënyrë ka ndihmuar edhe si model në krijimin e strukturave raportuese edhe Marrëveshja për Stabilizim Asociim”.

“Kurse,sa i përket aspekteve ekonomike dhe tregtare, siç dihet edhe nga ankesat dhe shqetësimet që ka pasur komuniteti i biznesit, nuk ka pasur rezultate në mënyrë të kënaqshme nga kjo marrëveshje”, ka thënë Dervisholli.

Disa hulumtime të subjekteve ekonomike flasin për humbje të mëdha financiare që marrëveshja e CEFTA-s i ka shkaktuar prodhuesve vendorë, rrjedhimisht shtetit të Kosovës.

Një hulumtim që ditë më parë ka prezantuar Aleanca Kosovare e Biznesit tregon bilancin negativ tregtar në periudhën 2005-2015. Agim Shahini, kryetar i këtij asociacioni ekonomik , ka treguar se bilanci negativ i Kosovës gjatë kësaj periudhe ka qenë 6 miliardë e 400 milion euro.

“Gjatë periudhës 2005 – 2015 Kosova ka importuar mbi 7 miliardë euro, apo 88 për qind, ndërsa eksporti ka arritur në më pak se një miliard euro. Pra, bilanci tregtar negativ është 6 miliard euro e 399 milion euro”, ka thënë Shahini.

Ai ka shtuar se deficitet tregtare negative Kosova i ka më të lartat në Ballkan dhe në Evropë, kurse me asnjë vend nuk ka bilanc tregtar pozitiv.

Edhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë pritet që shumë shpejtë të publikojë një studim, me një vlerësim tjetër për humbjet dhe përfitimet që ka sjellë CEFTA për Kosovën në këtë dekadë.

Sidoqoftë, Sytrime Dervisholli shprehet se më gjithë problemet, prodhimet kosovare kanë gjetur një hapësirë të madhe në tregun e Shqipërisë.

“Fillimisht, në vitet e para të zbatimit të CEFTA-s, ka qenë Maqedonia, një sasi të vogël edhe në Serbi [eksporti], por që me ndërtimin e autostradës “Ibrahim Rugova” eksportet në masë të madhe janë rritë më drejtim të Shqipërisë. Pra, partnerë kryesorë sa i përket eksportit Kosova ka shtetin shqiptar në vendet anëtare të CEFTA-s”, thekson Dervisholli.

Mbi 2.5 miliardë euro është vlera e importit të produkteve të huaja në Kosovë, gjatë vitit të kaluar, kurse eksporti i produkteve të Kosovës në vendet e rajonit dhe Evropës ka arritur në vlerën mbi 300 milionë euro. Serbia është shteti që më së shumti importon produkte në tregun e Kosovës. /Rel/

Të fundit