Ky ministër vazhdon lobimin për anëtarësim në INTERPOL


E mërkurë, 18 Maj 2016

New York – Ditën e dytë të qëndrimit në Nju Jork, ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, ka zhvilluar takime të ndara me përfaqësuesit e përhershëm të disa shteteve anëtare të OKB-së.

Fillimisht ka takuar ambasadorin e Kanadasë, Marc-Andre Blanchard, pastaj ka takuar ambasadoren e Singapurit, Karen Tan, ndërsa pasdreke ka takuar përfaqësuesin e përhershëm të Republikës së Koresë, Oh Joon.

Që të tri këto vende kanë ulëse në Komitetin Ekzekutiv të INTERPOL-it, ku së shpejti pritet shqyrtimi i kërkesës së Republikës së Kosovës për anëtarësim.

Njësoj si edhe në takimet paraprake biseda është përqendruar te kontraktualiteti dhe anëtarësimi i Republikës së Kosovës në mekanizma, institucione dhe organizata ndërkombëtare të bashkëpunimit në fushën e rendit dhe ligjit, me theks të veçantë rreth anëtarësimit të vendit tonë në INTERPOL, përkatësisht bashkëpunimit policor.

Ministri Hyseni ka kërkuar përkrahjen e këtyre vendeve në këto procese të rëndësishme për Kosovën. /Telegrafi/

Të fundit