E mërkurë, 11 Maj 2016
Kosova ende nuk është pjesë e FIFA-s, por pret të bëhet për pak ditë.
Po ashtu nuk është 100 për qind e sigurt se do të lejohet të marrë pjesë në eliminatoret për botërorin “Rusia 2018”, që nisin në shtator, por drejtuesit e Përfaqësueses së Kosovës po analizojnë kundërshtarët e Grupit I.
Madje thonë se i dinë saktë edhe dy kundërshtarët e parë dhe se kush do të jetë vendas e kush mysafir. Thonë se e dinë edhe orarin e ndeshjeve tjera me kundërshtarë tjerë të Grupit I, porse ka mbetur të përcaktohet kush do të jetë vendas e kush mysafir në ndeshjet e para.
Kësisoj, Përfaqësuesja e Kosovës po llogarit që ndeshjen e parë eliminatore ta zhvillojë më 5 shtator 2016 në Helsinki kundër Finlandës, kurse ndeshjen e dytë dhe të parën eliminatore në Kosovë, kundër Kroacisë, më 6 tetor 2016, në Mitrovicë.
Tash për tash, Kosova e ka të ndaluar të luajë me Kroacinë ndeshje miqësore, por pritet të ndryshohet gjendja pas pranimit në FIFA, që shpresohet të ndodhë më 13 maj. Pas kësaj date pret të luajë edhe ndeshje zyrtare.
Etiketa: FIFA, Kosova, UEFA