Laureat i sivjetshëm i çmimit “Esad Mekuli” është Emin Kabashi


E martë, 18 Dhjetor 2018

PRISHTINË – Studiuesi i letërsisë e shkrimtari Emin Kabashi është laureati i sivjetshëm i çmimit letrar “Esad Mekuli” për krijimtari të përgjithshme. Çmimin që e ndan Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës, Kabashi e ka pranuar të hënën në amfiteatrin e madh të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në kuadër të takimit letrar të këtij viti që e ka organizuar LShK-ja.

Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Shyqri Galica, përderisa ka lexuar arsyetimin për çmimin, ka thënë se tash e 50 vjet Kabashi është pjesë e letërsisë. Sipas Galicës, krahas prozës ai ka pasuruar letërsinë edhe me vepra në dramë. “Shquhet edhe me publicistikë e eseistikë”, ka thënë Galica, shkruan sot Koha Ditore.

Ai u lind më 23 janar 1949 në fshatin Drini të Rahovecit, ku edhe përfundoi shkollën fillore. Gjimnazin e filloi në Prizren dhe e përfundoi në Rahovec. Ka studiuar në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës. Studimet pasuniversitare i ka ndjekur po në Degën e Letërsisë dhe ka magjistruar me temën “Poetika e Lasgush Poradecit” në vitin 1979. Në vitin 1989 ka mbrojtur tezën e disertacionit të doktoratës me titull “Poetika e poemave të Jeronim de Radës” në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës.

“Njerëz dhe rrugë”, “Dimri i Drinisë”, “Gjaku i shprishur”, “Dashuri në kohë robërie”, “Poetika e poemave të Jeronim de Radës”, “Jeronim de Rada – poetika e poemave” e “Përtej grilave” janë disa nga veprat e Kabashit, i cili është hulumtues i pavarur shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës.

Në këtë takim letrar, ku si çdo vit janë lexuar poezitë konkurrente, janë ndarë edhe çmimet për poezi.

Midis një gare prej më se 50 poezive, juria në përbërje të Arsim Berishës, Hamdi Hasukës e Hysen Matoshit ka ndarë tri çmime. Me vendin e parë, “Bardi I” është vlerësuar poezia “Etisdiku” e poetit Shaban Pllana. Çmimi “Bardi II” i është dhënë poezisë “Ekzil” me autor Sylejman Dërmakun. Çmimi i tretë është ndarë dy herë. Këtë çmim e ka ndarë Instituti Albanologjik për poezinë “Poeti” me autore Myrvete Kabashi-Leku, kurse në emër të LShK-së fituese ishte poezia “E madhërishmja tokë” me autore Trandafile Molla-Bajra, duke pranuar çmimin “Bardi III”.

Etiketa: , ,

Leave a Reply

Të fundit