E shtunë, 5 Korrik 2014
Ndërsa në Lazarat vijon kontrolli i policisë shtëpi më shtëpi, kurioziteti për çlirimin e tij ka afruar dhjetëra turistë nga vende të ndryshme, të cilët kanë vizituar “fshatin rebel të hashashit”. Tre grupe turistësh nga Belgjika, Maqedonia dhe Mali i Zi kanë vizituar dje qendrën e fshatit plot kuriozitet, ku janë takuar me banorë, efektivë policie dhe kanë bërë foto të shumta.
Grupe me motorë, furgonë dhe vetura kanë zbritur në qendër të fshatit, duke thënë “Bravo policia”, ndërkohë që tregonin interes në çdo bisedë, si me punonjës policie, ashtu edhe me banorë për të mësuar sa më shumë për këtë fshat. Ata kanë qëndruar për orë të tëra në rrugicat e fshatit, si në ndonjë vend pas lufte, duke bërë foto me punonjësit e policisë.
Kurse uniformat blu kanë vijuar kontrollet shtëpi më shtëpi, duke zbuluar sasi të mëdha hashashi që kultivuesit kanë fshehur. Rreth tre tonë kanabis janë gjetur dje në një cisternë uji dhe në bodrumin e një banese, ku kjo e fundit përdorej edhe si kopsht për kultivimin e bimës narkotike. Në lidhje me kontrollet e djeshme, policia tha në oborrin e shtëpisë së K. Buzherit, një banor i Lazaratit, i shpallur në kërkim nga policia, është gjetur drogë e presuar, tritol e municione luftarake.
Ato ishin fshehur në gropat që shërbenin për kultivim të kanabisit. Gjatë kontrollit në këto gropa u sekuestruan rreth tre tonë marijuanë, një pushkë, 88 kallëpe tritoli, tre bidonë të mbushur me fishekë mitralozi dhe mbi 3 mijë fishekë të tjerë. Kurse në banesën e A Prokos, policia tha se zbuloi një bodrum të fshehtë. Gjatë kontrollit, aty u konstatuan nëntë fuçi plastike, të mbushura me marijuanë, gjithsej 383 kilogramë. I zoti i banesës, A. Proko është shpallur në kërkim nga policia. Sipas të dhënave, atij iu gjetën edhe dy kompjuterë lojërash fati. Me sekuestrimet e djeshme, rezulton se deri tani janë asgjësuar në Lazarat mbi 70 tonë kanabis dhe mbi 133 mijë rrënjë bime narkotike dhe fidanë.