E enjte, 13 Dhjetor 2018
TIRANË – Lazarati e ka lënë pas të kaluarën e tij të hidhur. Por, për këta banorë, më e hidhur se e kaluara, sot po bëhet gjendja e tyre ekonomike. Dhe këtu nuk po flasim për një fshat të thellë, që ka më pak familje se gishtat e dorës. Por për një komunitet, që ka gati 3500 banorë, më shumë se disa qytete të vogla të Shqipërisë.
Piramide ekonomike e krijuar nga hashashi kishte sjellë në vitet e kaluara një farë mirqënie në Lazarat. Ajo mirqënië u shkul me rrënjë, ashtu si bimët narkotike. Shumica e banorëve tregojnë që ata ishin të ndërgjegjshëm që droga duhej hequr. Vetë qeveria deklaroi në atë kohë, se nuk do ta linte këtë fshat pa mbështetje.
Të artikuluara edhe nga vetë kryeministri këto terapi sociale dhe ekonimike nuk u realizuan kurrë.
“Deri më sot që po flasim bashkë, asnjë plan, asnjë projekt konkret. Thjeshtë flitet që jemi në projektin e madh të 100 fshatërave, por edhe ai ka mbetur vetëm si një pyetësor dhe asnjë gjë në terren”, tha Benard Pollo, Administrator në Lazarat.
“Ai (shteti) në 4 vjet vetëm ka burgosur. Mbështetje e qeverisë, vetëm burgosje. Asnjë gjë”, tha Xhevahir Derxho, banor në Lazarat.
I vetmi interes që tregoi shteti për Lazaratin pas aksionit të policisë ishte rikonstruksioni i i një ambulance. Ministri i Shëndetësisë së asaj kohe mblodhi gjithë mediat për ta inaguruar këtë objekt.
Por edhe kjo rezultoi të ishte një show televiziv.
Kjo mungesë e mbështetjes nga shteti me investimeve apo nisma ekonomike e ka çuar sot këtë fshat drejtë falimentimit. Gjatë 3 ditëve që grupi i xhirimit të Top Storit qëndroi në Lazarat, e patën të vështirë të gjënim një person optimist për të ardhmen.
Dikur në Lazarat ndërtoheshin shtëpi. Edhe sot të bien në sy shtëpitë e bukura që ka ky fshat. Si pasojë ndërtimi ishte një sektor në të cilin punësoheshin shumë familje. Por sot, realiteti është ndryshe.
Top Story bisedon me një çoban të fshatit, teksa po kullot tufën e tij. Ai tregon se deri dje, ai kishte një biznes të vetin. Punonte saldator në fshat. Sot përpiqet të mbajë familjen me këtë tufë delesh.
“Dhjetë vjet – 15 vjet, punova saldator. Kisha punë, punonim të gjithë, sepse kishte punë. Kur ndërhyri policia, apo që vuri taksat, Rama tani, detyrimisht i mbyllëm se punë nuk ka më. Delet i vura më pas, nuk i kam pasur. E pashë që s’kisha çfarë të bëja dhe sa të rrija në shtëpi pa punë, mora këto dhe ja dola. Nëse do kishte ndërtime do kishte edhe punë. Ska ndërtim ska punë”, tha Godo Gerveshi, banor.
Po në këtë situatë ndodhet edhe një sipërmarrës tjetër në fshat. Një ndër ata pak që punojnë akoma. Asqeri Buzheri ka një mobileri. Por, porositë sot janë shumë të rralla, sepse në Lazarat nuk ndërtohet më.
“Këto janë situatat më të vështira që ne po kalojmë, kryesisht përsa i përket punës sepse nuk kemi punë. Rinia që është e ardhmja e këtij vendi, që do martohen do bëjnë dhoma gjumi, do krijojnë familje, e shikojmë që s’ka asnjë lloj shprese për të jetuar këtu. Kur jemi ne në vështirësi që kemi të paktën një punë, imagjino të tjerët, që janë pa punë. Ka shumë shumë familje që janë pa punë fare”, tha për Top Story Asqeri Buzheri.
Ndërkohë në dyqanet e fshatit, njerzit kanë filluar listat. Disa familje nuk kanë lekë as për ushqimet bazë. Makinat luksoze të dikurshme janë të rralla. Në fshat ka pak rini dhe më shumë sheh të moshuar. Në kopshte nuk sheh askënd që të punojnë.
“Rinia iku e gjitha. Këtu kanë ngel, ja, mosha ime. Edhe më të mëdhenj nga mua. Ska më rini fshati. Shteti ka hequr dorë nga fshati. Me një fjalë i ka kthyer b…n, fshatit tone”, tha Xhevahir Derxho.
“Edhe ato biznese që ishin në ndërtim, ishin goxha biznese në Lazarat, kishte të paktën 100 biznese, të mëdha dhe të vogla. Ato 80 % janë mbyllur”, tha Izet Bejko.
Si në çdo fshat, të ardhurat ekonomike për Lazaratin mund të vijnë nga pak drejtime. Bujqësi, blegtori, bimë medicinale, ose turizëm.
Por ngado që i kthen sytë banorët sot, rrugët i kane të mbyllura. Disa për faj të shtetit, disa edhe për fajin e vet banorëve.
Etiketa: Lazarati, Shqipëri