LDK, PDK dhe AAK mirëpresin votimin e Rimëkëmbjes Ekonomike


E premte, 4 Dhjetor 2020

PRISHTINË – Pas miratimi në Kuvend të Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike partitë politike kanë shprehur qëndrime të kundërta për këtë projektligj. Derisa, LDK, PDK dhe AAK e kanë mirëpritur miratimin e këtij ligji, është Lëvizja Vetëvendosje ajo që këtë projektligj e ka kritikuar duke thënë se ka defekte të mëdha dhe se favorizon oligarkët.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Bedri Hamza, tha se inkorporimi i propozimeve të PDK-së e kanë bërë substancën e këtij ligji.

Ai tha se Ligji nuk është për votuesit e një subjekti politik ose një tjetri, por është ligj për të gjithë qytetarët e Republikës dhe për bizneset që operojnë në Republikën e Kosovës.

Ky ligj, sipas tij, i përkrah të punësuarit në sektorin privat, përfitojnë mbi 50 mijë biznese si rezultat i granteve, përfitojnë dhjetëra mijëra të punësuar në sektorin privat që kanë humbur vendet e punës nga pandemia, përfitojnë qytetarët e Kosovës me mjetet e tërhequra nga Trusti dhe qytetarët me bazë ekonomike më të ulët do të rimbursohen nga shteti, lënda e parë e prodhuar nuk do të ngarkohet me TVSH.

I pyetur se a po ia zgjasin jetën qeverisë Hoti me votimin e Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike dhe se a do të përfshihen në Qeveri, Hamza tha se ky veprim i tyre nuk ndërlidhet me asnjë zhvillim tjetër politik që mund të ndodh.

“Unë po e them se është qeveri e dobët, për se është qeveri e dobët po tregon edhe fuqia politike në Kuvend. Me i pas numrat nuk kish pas nevojë me u vonua kaq shumë, po shihet që nuk i kanë numrat me i kalua as ligjet të cilat kërkojnë shumicën e thjeshtë, e lërmë marrëveshjet financiare ndërkombëtare dhe marrëveshjet tjera ndërkombëtare. Ne kemi qenë konstruktiv prej fillimit, e kemi votuar edhe vendimin për zgjatjen e shfrytëzimit të ndarjeve buxhetore edhe në qeverinë Kurti që nuk ka qenë praktikë më herët edhe pse kemi qenë ngushtë për vota…Votimi i këtij projektligji nuk ndërlidhet me asnjë zhvillim tjetër politik që mund të ndodh në periudhën e ardhshme dhe nuk ndërlidhet me asnjë iniciativë ligjore e cila është në procedurë”, tha ai.

Ai nuk ka treguar nëse do të votojnë buxhetin për vitin 2021, po theksoi se qeveria duhet të punojë shumë që të aprovohet buxheti pa vonesa.

Shefi i grupit Parlamentar të LDK-së Arben Gashi, tha se ky ligj nuk është i LDK-së apo i PDK-së, por është ligj i qytetarëve të Kosovës.

“Ky ligj nuk është ligj i LDK-së, nuk është ligj i PDK-së, nuk është ligj i Qeverisë, është ligj i qytetarëve të Kosovës. Pra, ne sot kemi kaluar një ligj për qytetarët e Kosovës, i cili ka për qëllim lehtësimin e kushteve jetësore për të gjithë qytetarët, avancimin dhe tejkalimin e krizës nga bizneset. Mendoj se është një arritje për Kuvendin e Republikës së Kosovës për dy arsye, e para sepse Ligji kalojë dhe e dyta sepse ky ligj nuk arriti që të shantazhohet as nga Lista Serbe e as nga askush tjetër. Pra, mendoj që sot është një arritje për qytetarët e Kosovës dhe për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Deputeti i AAK-së Gazmend Abrashi, ka përgëzuar deputetët e pozitës dhe të opozitës, për siç tha ai, rolin destruktiv që e kanë treguar sot në Kuvendin e Kosovës dhe që e kanë kuptuar që sektori privat është bartësi i ekonomisë së Kosovës.

“Sot më në fund Parlamenti i Kosovës reflektojë me atë që më në fund e votojë projektligjin për rimëkëmbje të Kosovës. Prej kësaj dite qytetarët e Kosovës e sidomos komuniteti i biznesit duhet me e ndje vetën më konform për shkak se shteti i Kosovës do t’i tregon përkujdesje maksimale të tyre. Ky parlament sot e ka rikonfirmuar detyrën parësore që e ka komuniteti i biznesit e sidomos kompanitë private të cilat janë ato që e mbushin arkën e Kosovës. Ka qenë totalisht e padrejtë gjatë gjithë kohës së pandemisë që punëtorët e sektorit publik kanë qenë të orientuar që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre gjersa komuniteti i biznesit ka qenë i instruktuar për shkak të pasojave nga COVID-19 që kryesisht i mbyll bizneset e tyre dhe të qëndrojnë në shtëpitë e tyre”, tha ai.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se ky projektligj është me defekte të mëdha dhe se favorizon oligarkët, shkruan Telegrafi.

Etiketa: , , , ,
Të fundit