Liberalizimi i vizave dhe fushata zgjedhore


E premte, 4 Tetor 2013

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar nga ministrat dhe të gjithë akterët e përfshirë, që të mos i lënë angazhimet në procesin e liberalizimit të vizave dhe negociatat për MSA-në, për shkak të zgjedhjeve lokale.

Thaçi ka thënë se kjo vjeshtë është jashtëzakonisht e rëndësishme për hapat që do t’i bëjë Kosova në rrugën e saj evropiane. Andaj, ai ka kërkuar që prioritet në angazhimin e institucioneve të jetë plotësimi i kritereve evropiane dhe më pastaj angazhimi në fushatën zgjedhore.

Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike rikujton se premtimet e kreut të qeverisë për liberalizim të vizave janë dëgjuar edhe në fushatën e kaluar.

Në vend të paralajmërimeve dhe premtimeve, qeveria dhe kryeministri, sipas Dolit, do të duhej të angazhoheshin seriozisht në përmbushjen e kritereve evropiane të përcaktuara edhe në udhërrëfyesin e Komisionit Evropian për liberalizim.

“Premtimi i kryeministrit Thaçi që brenda 15 muajve Kosova do të merrte liberalizimin e vizave u dëshmua edhe njëherë se nuk ka qenë i saktë dhe është për qëllime paraelektorale e elektorale të qeverisë Thaçi. Andaj dua të them që Kosova është dashur që nga fillimi të tregohet shumë më serioze dhe të përgatitet për sidat e procesit të liberalizimit të vizave”, ka thënë Doli.

Sipas tij, disa trende negative që kanë ndodhur sivjet, si rritja e numrit të azilkërkuesve nga Kosova, migrimet ilegale dhe rekomandimi i Parlamentit Evropian që të lejohet kthimi i regjimit të vizave për vendet ballkanike që nuk i respektojnë kriteret, e ka bërë këtë proces edhe më të vështirë për vendet aspirante siç është Kosova.

“Rigoroziteti që është vendosur nga BE-ja për të vlerësuar vendet që janë kandidate për liberalizim të vizave, në këtë rast Kosovën, do të kenë reflektim, ndoshta edhe në tejzgjatjen e vendimmarrjes përfundimtare. Duhet thënë se frika e vendeve anëtare të BE-së është shumë herë më e madhe sesa që ka qenë vite më për vendet që kërkonin liberalizimin e vizave”, ka thënë Doli.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, ka thënë se Komisioni Evropian do të dërgojë misione vlerësuese për procesin e liberalizimit të vizave. Gjatë muajit nëntor, sipas saj, ky mision do të vlerësojë të arriturat në kriteret që flasin për riatdhesimin, ri-integrimin; sigurinë e dokumenteve si dhe do të vlerësojë migrimin dhe azilin.

Varësisht vlerësimi të këtij misioni më pas Brukseli do të vendosë për hapat e mëtutjeshëm.

Përveç liberalizimit të vizave, qeveria ka diskutuar edhe nisjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.

Ky proces fillon zyrtarisht më 18 tetor, kur Prishtinën do ta viziton edhe Komisionari për Zgjerim i BE-së, Stefan Fule. /REL/

Etiketa: , ,

Leave a Reply

Të fundit