Ligjet nuk mjaftojnë për konkurrencë tregu


E diel, 20 Tetor 2013

Shkup, 20 tetor- Maqedonia shënon përparim sa i përket ndërtimit të kapaciteteve ligjore për të konkurruar në tregun evropian, por lë për të dëshiruar cilësia e prodhimeve. Kjo theksohet në Raportin e progresit të Komisionit Evropian (KE).

Në Raport, gjithashtu, apostrofohet si shqetësuese edhe rritja e borxhit publik, ndërkohë që si pozitive është shënuar ruajtja e stabilitetit në planin makroekonomik.

Kështu, Visar Ademi, ekspert i ekonomisë, thekson se kësaj radhe në raportin e Komisionit Evropian, është cekur në mënyrë më eksplicite se Qeveria e Maqedonisë duhet t`i kushtojë kujdes të veçantë ngritjes së kapaciteteve të kompanive private që të njëjtat të jenë në gjendje të gjenerojnë vende të reja të punës.

“Në raportin e KE-së, kësaj radhe është nënvizuar se duhet të ndërpriten shpenzimet jokapitale, të cilat bëhen pa kritere nga ana e Qeverisë, e që janë kryekëput në dëm të qytetarëve, sepse borxhi publik vazhdon të akumulohet gjithnjë e më shumë duke u rritur në atë masë saqë do të duhen pastaj gjenerata të tëra të mund ta shlyejnë këtë borxh ku po zhytet vendi”, thotë për REL Visar Ademi, ligjërues në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Ndërkaq, Mirçe Cekrexhi, kryetare e Lidhjes së Odës Ekonomike të Maqedonisë, vlerëson se praktika ka dëshmuar se zhvillimi ekonomik përkatësisht integrimi ekonomik, për çdo vend para se të bëhet pjesë e familjes evropiane, ka qenë dhe tregues kryesor se ai vend po ecën në drejtim të duhur.

“Një strategji e përbashkët për zhvillimin e ekonomisë së Maqedonisë paraqet dhe mënyrën më të mirë për t`u integruar, si dhe nevojitet transformimi i ekonomisë sonë në një ekonomi, e cila do të jetë konkurruese në tregun evropian”, thekson Cekrexhi.

Ndërkohë që Lidhja e Odave Ekonomike të Maqedonisë vlerëson se Maqedonia, për t`iu shmangur hendekut gjithnjë e më të thellë, në planin ekonomik, kundrejt vendeve të BE-së, duhet të arrijë një shkallë prej 6 për qind të bruto prodhimit vendor. Në të kundërtën, do të rritet edhe më shumë varfëria dhe vendi nuk do të arrijë të konkurrojë me prodhimet e saj në tregun e familjes evropiane. zhurnal

Etiketa:
Të fundit