“Liria nuk gjykohet”, organizatat e luftës reagojnë rreth vendimit të ri të Speciales ndaj Pjetër Shalës


E hënë, 14 Korrik 2025



Organizatat e dala nga lufta, kanë reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Hagë, e cila uli dënimin Pjetër Shalës nga 18 në 13 vjet burgim.

OVL, SHIL dhe SHFD të UÇK-së e kanë konsideruar këtë vendim si një tjetër padrejtësi ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së.

Në reagimin e përbashkët, këto organizata shprehin “pakënaqësinë e thellë” me vendimin, duke theksuar se kishin pritur një aktgjykim lirues.

“Edhe pse dënimi është ulur, ne kemi pritur me bindje të plotë një vendim lirues, sepse besojmë në pafajësinë e bashkëluftëtarëve tanë, dhe në luftën tonë të drejtë për çlirim”, thuhet në deklaratë.

Sipas tyre, vendimi i Apelit nuk ndihmon drejtësinë, por “e thellon bindjen se kjo gjykatë ka karakter politik dhe nuk e trajton drejtësinë mbi baza të barabarta e të paanshme”.

Organizatat theksojnë se e vërteta është në anën e UÇK-së dhe nuk kanë frikë nga ajo.

“UÇK-ja nuk ka nevojë të mbrohet nga e vërteta, e vërteta historike është në anën tonë dhe bashkëluftëtarët tanë nuk do t’i nëpërkëmbë askush me procese të motivuara politikisht. Liria nuk gjykohet, ajo respektohet”, thuhet në reagim.







Etiketa:
Të fundit