Lista Srpska tregon për pengesat që do t’i bëjë në institucione


E enjte, 15 Qershor 2017

Nga gjashtë subjektet politike serbe, sa kanë garuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, Lista Serbe, besohet se ka fituar 9, kurse Partia e Pavarur Liberale një ulëse në Kuvend.

Komuniteti serb ka 10 ulëse të garantuara në Kuvend si dhe dy poste ministrore dhe disa poste nënministrore në Qeveri.

Në bazë të rezultatit të zgjedhjeve, gati se të gjitha këto pozita, pritet t’i marrë Lista Serbe, e cila deklarohet se presidenti dhe kryeministri i tyre ndodhen në Beograd.

Kurse në Prishtinë, ndonëse marrin pjesë në institucione, këtë, sipas kryetarit të Listës Serbe, Sllavko Simiq, e bëjnë për t’i mbrojtur interesat e komunitetit serb.

“Në periudhën e ardhshme përmes mandateve që do t’i marrim në Kuvendin e Kosovës do të parandalojmë ndryshimet kushtetuese, pastaj do të parandalojmë që të adresohen kufijtë e shtetit tonë dhe natyrisht që do të parandalojmë procesin e formimit të ushtrisë së Kosovës”, ka thënë Simiq.

Sipas tij, Lista Serbe do të ketë nëntë vende në Kuvend, por atyre do t’u bashkohet edhe përfaqësuesi i goranëve, kështu që në tërësi do të përbëjnë një Grup parlamentar prej 10 deputetëve.

Njohësi i rrethanave politike në Kosovë dhe ish-deputeti Petar Miletiq, thotë se rezultati i Listës Serbe tregon për mbështetjen e madhe që e ka ky subjekt politik tek komuniteti serb.

“Edhe pse ne të gjithë e dimë që kjo Listë është nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Qeverisë së Serbisë, përkatësisht Zyrës për Kosovën, numri i madh i votave që ka fituar tregon që kjo Listë nuk mund t’i ikë më asnjë vendimi dhe as përgjegjësisë”, ka thënë Miletiq.

Sipas tij, pavarësisht që ende nuk dihet se cili bllok nga partitë e shumicës shqiptare do ta formojë Qeverinë e ardhshme të Kosovës, Lista Serbe duhet të bashkëpunojë me bashkësinë ndërkombëtare dhe të vendos kontakt me elitën politike shqiptare në funksion të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Gjatë fushatës, nga Beogradi u dërguan disa porosi politike për disa vija të kuqe të Listës Serbe në raport me disa prej emrave të propozuar për kryeministër të ardhshëm të Kosovës.

Por, tani kjo Listë nuk flet më për vija të kuqe dhe kryesisht është fokusuar në angazhimet për themelimin e Asociacionit të komunave serbe dhe pengimin e themelimit të ushtrisë së Kosovës.

Ndërhyrjet e Beogradit gjatë fushatës në zonat e banuara me serbë në mbështetje të Listës Serbe, janë potencuar nga diplomatët ndërkombëtarë dhe vëzhguesit e Bashkimit Evropian, si cenim i besueshmërisë së procesit të votimit në këto mjedise.

Sidoqoftë, Lista Serbe, në bazë të Kushtetutës së Kosovës, pavarësisht se cili bllok politik nga forcat politike shqiptare do ta formojnë Qeverinë e ardhshme, pritet të jetë pjesë e Qeverisë, sikurse edhe pakicat tjera joserbe. /REL/

Etiketa: , ,
Të fundit