E hënë, 11 Prill 2016
Enklid Pelari, Durrës
Të merr frika të shqiptosh termin turqi në trojet tona, pasi reagimi bashkëbisedusit mund të jetë surprizues. Ato variojnë nga teori konspirative të tipit (Islamizim i Ballkanit, ripushtim Otoman, madje dhe fantazma neo-otomane e barbarosa) e deri tek më banalet (500 vjet përdhunim, në venat tona qarkullon gjaku i jeniçerve turq, etj.).
Parë në këtë kontekst nuk ka ndonjë problem që një individ të abstragoj me të tilla pohime, pasi aq mund t’ja lejojë ‘’infrastruktura’’ intelektuale, por kur këto pseudo-analiza ngriten dhe artikulohen deri në nivele opinionistësh e akademikësh, atëherë çështja merr me të vërtetë konotacione të frikshme. Themi të frikshme për dy arsye: E para për shkak të miopisë së të parit të së kaluarës. Pasi kjo logjikë të çon drejt izolimit total diplomatik, sepse kështu i bie që të prishim marrëdhëniet me gjermaninë ish naziste, me Italinë ish fashiste dhe me greqinë ish Megalo-heleniste.
Së dyti është me të vërtetë e habitshme se kur flitet për turqinë, flitet për gjithçka ‘’të keqe’’ që ajo ka bërë në të kaluarën, përveç kontekstit ekonomik, apo interesit material te ceshtjes. Edhe pse dihet parimi diplomatik se shtetet i ngrejnë marrëdhëniet në bazë të interesave, sidomos atyre ekonomik, sërish opinionistët e vendit tonë duket sikur e kanë të gjithë luksin për ti refezuar benefitet financiare që mund të na sjellë partneriteti dhe bashkëjetesa me Turqinë. Më poshtë po sintetizojmë pak historikun, ekonominë dhe aktualitetin e marrëdhënieve të shqiptarëve me Turqinë.
Historiku marrëdhënieve…
•Pas bashkëjetesës ndër shekuj me turqit otomoan, duket sikur aksidentalisht kërcënimet e njëjta për të dy vendet në fund të Luftës së Parë Botërore, na përafruan me Turqinë në vitet 1920-1930.
•Më 15 dhjetor të 1923 marrëdhëniet diplomatike midis dy shteteve të reja vazhduan deri në vitin 1928 të cilat u konkretizuan me firmosjen e “Marrëveshjes së Miqësisë Turqi-Shqipëri”.
•Shpallja e monarkisë nga mbreti Zog, u cilësua nga Ataturku si kthim mbrapa dhe jo në interes të progresit shqiptar, e cila binte ndesh me atmosferën civilizuese europiane. Kjo kulmoi me mbylljen e ambasadës së Shqipërisë në Ankara.
•Me ardhjen në pushtet të Enver Hoxhës, më 16 korrik 1945, kryekonsulli turk Muzaffer Kamil Bayur e braktisi Shqipërinë. Lufta e ftohtë, që vazhdoi midis dy vendeve deri në vitin 1955, përfundoi me kërkesat e Shqipërisë për normalizimin e marrëdhënieve me Turqinë.
•Më pas me prishjen e marrëdhënieve politike me shtetet Lindore më 1961, Shqipëria do ta vlerësonte Turqinë si mikun më të mirë.
•Me ndryshimin e sistemit politik pas viteve ’91, marrëdhëniet midis dy vendeve morën përmasa të gjithanshme, kjo kulmoi me vizitën e kryeministrit Sulejman Demirel në qershor të ’92 i cili vizitoi Shqipërinë dhe firmosi ‘Marrëveshjen e Miqësisë dhe Bashkëpunimit midis dy vendeve”.
Po ekonomia jonë çfarë përfiton?…
Në vitin 1991 Turqia do të ishte pikërish huadhënësja e parë e shqipërisë nga ku presidenti Turgut Özal i dha Shqipërisë të sapo demokratizuar, një hua prej rreth 14 milion dollar përmes Exim Bank. Një vit më vonë qeveria turke do të ofronte një grant prej 29 milion dollar në ushqime dhe teknologji. Më pas kur kryeministri Erdogani filloi të tregojë interes ndaj shqipërisë, në vitin 2010 kur ai e vizitoi atë i premtoi kryeministrit Berisha se Turqia do te rrise investimet ne Shqiperi me rreth 6 milion dollare. Por kryesisht ajo vizite kulmoi me lobimin e Turqisë që projekti TAP të kaloj në Shqiperi. Projekt ky që ka filluar të implementohet në shqipëri.
Nga ana tjetër Turqia e ka bërë të qartë prej kohësh se kërkon të zërë vendin e parë për investimet e huaja në Shqipëri. Turqia është partneri i dytë më i madh tregtar i Shqipërisë me një vlerë investimesh mbi 1 miliard euro. Nuk duhet harruar se mes dy vendeve tona janë nënshkruar mbi 160 marrëveshje në fusha të ndryshme dhe aktualisht në Shqipëri ndodhen rreth 300 investitorë turq, me mbi 1 miliard dollar investime. Ndërsa volumi tregtar mes dy vendeve është rreth 300 milion dollarë. Në prespektivë qeveria turke ka përgatitur një program të quajtur Vizion 2023 që përfaqëson orientimin politik dhe ekonomik të Turqisë për dekadën e ardhshme ku mes të tjerash përfshin edhe rritjen e marrëdhënieve ekonomike me Shqipërinë si objektiv.
Strategjia Turke midis ‘’otomanizmit’’ dhe NATO-s?
Pavarësisht fobive për një neo-otomanizëm, megjithëse ka kaluar më shumë se një shekull që kur perandoria Otomane ka rënë, strategjia e Ankarasë drejt Europës Juglindore ka pasur si qëllim reduktimin e rolit të Greqisë dhe Bullgarisë në territoret mes Detit të Zi dhe Adritatikut. Po ashtu nuk duhet harruar ndërhyrja e turqisë në vitin ’97 që të ruhej autonomia e shqipërisë.
Përsa i përket rrolit të Turqisë në çështjen e Kosovës nuk duhet të harrojmë se kryeministri i atëhershëm turk Eçevit e bëri të qartë qendrimin e tij duke thënë se shqiptarët nuk mund të jetonin më nën administrin e Serbisë dhe se NATO nuk mund të dështonte në këtë konflikt. Në qershor të 1999-ës, pas marrëveshjes mes Serbisë dhe NATO-s, Turqia zbarkoi 1 mijë trupa nën mandantin e KS të OKB-së në fshatin Sharrë të Prizrenit.
Po sot ç’po ndodh…
Qeveria e majtë e Edi Ramës i ka kushtuar një prioritet dhe rëndësi të veçantë këtyre marrëdhënieve duke e cilësuar Turqinë “partner strategjik”. Ish ministri jashtëm turk Davutoglu dhe Bushati gjatë një takimi ranë dakord për ngritjen e një Këshilli Bashkëpunimi të Nivelit të Lartë Turqi-Shqipëri, që më pas u konfirmua edhe nga kryeministri Rama kur Erdogan vizitoi shqipërinë para një viti. Pra edhe sot kur BE-ja është e rraskapitur nga krizat ekonomike dhe problemet administrative e strukturore të zgjerimit, çka e bën eurozonën skeptike ndaj integrimit të shqipërisë, si dhe ndaj rrezikut të kandidatit Amerikan për president Trump, i cili e ka denigruar shqipërinë në favor të serbëve, opsioni i një aleati strategjik si Turqia mbetet një ‘’mrekulli’’ më vete që nuk e ke luksin ta takosh çdo ditë.
Bashkëjetesa me Turqinë ka qenë, është dhe do të jetë një proces natyrshmërisht i domosdoshëm për shqipërinë, pavarësisht ‘’aksidenteve’’ historike që kanë imponuar divorcin e dy vendeve. Koha ka vërtetuar se Turqia mbetet një partner multidimensional strategjik i shqipërisë, ndërkohë po koha do të vërtetojë se ata qe dalin kundra kesaj vellazerie ne fund do të rezultojnë Donkishotë që luftuan me mullinjtë ekonomikë.
(Autori është studiues nga Durrësi. Këtë shkrim e ka shkruar enkas për Institutin Kosovar për Studime të Lindjes së Mesme)